Gjermania, kur mbrojtja ‘fut ujë’, 10 ndeshje radhazi që pëson gol në botërorë
Eliminimi i Gjermanisë në fazën e 1/16-tës së finales së Kupës së Botës nga Paraguai ka hapur diskutime të mëdha brenda Federatës Gjermane të Futbollit për të ardhmen e trajnerit Julian Nagelsmann.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Nagelsmann nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Trajneri ka kontratë deri në vitin 2028 dhe pas ndeshjes deklaroi se nuk është “njeri që largohet”, duke shtuar se vendimi për të ardhmen e tij i takon federatës.
Megjithatë, emri që po përmendet më shumë si pasues i mundshëm është ai i Jürgen Klopp. Ish-trajneri i Borussia Dortmundit dhe Liverpoolit ndodhet në Shtetet e Bashkuara si komentator televiziv gjatë Botërorit dhe prej ditësh konsiderohej nga mediat gjermane si “trajneri në hije” i kombëtares. Megjithatë, bindja e tij për të marrë drejtimin e ekipit nuk pritet të jetë e lehtë.
Edhe pse drejtori i kombëtareve, Rudi Völler, vazhdon ta mbështesë Nagelsmannin, vendimi përfundimtar do t’i takojë Këshillit të Federatës, pasi të jenë qetësuar reagimet pas eliminimit.
NJË TJETËR DËSHTIM – Edhe pse Gjermania arriti të kalonte fazën e grupeve, ky fakt nuk konsiderohet sukses, pasi formati i ri i turneut përfshinte edhe fazën e 1/16-tës. Humbja me penallti ndaj Paraguait është cilësuar si një tjetër dështim i madh, pas eliminimeve të hershme në Botërorin e Rusisë 2018 dhe atij të Katarit 2022.
Në Euro 2024, pas eliminimit nga Spanja në çerekfinale, Nagelsmann kishte deklaruar me besim se “Gjermania do ta fitonte Kupën e Botës”. Dy vite më vonë, kombëtarja u eliminua nga Paraguai, skuadër që renditet e 41-ta në renditjen e FIFA-s.
YJET – Pavarësisht një organike të mbushur me emra të mëdhenj si Florian Wirtz, Jamal Musiala, Manuel Neuer, Leroy Sané dhe Kai Havertz, Gjermania nuk arriti të funksiononte si skuadër.
Musiala ende nuk është rikthyer plotësisht në formën e tij më të mirë pas dëmtimit, Ëirtz nuk ka kaluar një periudhë të lehtë pas transferimit te Liverpooli, ndërsa Neuer, në moshën 40-vjeçare, nuk arriti të ishte vendimtar si në të kaluarën. Havertz, nga ana tjetër, humbi një penallti vendimtare në eliminimin ndaj Paraguait.
KRITIKAT – Mediat gjermane dhe italiane vlerësojnë se Nagelsmann ka bërë disa gabime të rëndësishme gjatë turneut. Vendimi për të aktivizuar Joshua Kimmich si mbrojtës i djathtë, pavarësisht se te Bayern Munich luan si mesfushor organizator, nuk dha rezultatet e pritura.
Po ashtu, trajneri u kritikua për faktin se aktivizoi pothuajse formacionin titullar në ndeshjen ndaj Ekuadorit, edhe pse vendi i parë në grup ishte siguruar, çka ndikoi në lodhjen fizike të ekipit në sfidën me Paraguain.
Sipas analizave, Gjermania nuk arriti të shfaqte personalitetin dhe cilësinë që pritej nga një skuadër me futbollistë të nivelit më të lartë europian. Eliminimi ndaj Paraguait konsiderohet një goditje e rëndë dhe mund të sjellë ndryshime të mëdha në drejtimin teknik të kombëtares, me Jürgen Kloppin që mbetet kandidati kryesor për stolin e “Panzerëve”.
Top Channel