Atletico Madrid prezanton fanellën e re, mungesa e Alvarez ndez spekulimet për largimin

29/06/2026 13:08

Atletico Madrid ka prezantuar fanellën zyrtare të shtëpisë për sezonin 2026/27, por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje nuk ka qenë dizajni bardhekuq, por mungesa e sulmuesit argjentinas Julian Alvarez në fushatën promovuese.

Në fotografitë e publikuara nga klubi shfaqen Marcos Llorente, Marc Pubill, Giuliano Simeone dhe Alex Baena, katër futbollistë që konsiderohen pjesë kyçe e projektit për sezonin e ardhshëm. Mungesa e Alvarez ka shtuar spekulimet për të ardhmen e tij, pasi prej javësh emri i tij lidhet me një largim nga “Los Colchoneros”.

Sipas raportimeve në Spanjë, vetë lojtari dëshiron të transferohet te Barcelona dhe thuhet se ka shprehur dëshirën për të realizuar “ëndrrën” e tij. Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar, pasi ai ka kontratë me Atlético Madridin deri në vitin 2030 dhe drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend ta shesin te një rival direkt në La Liga.

Barcelona, nga ana tjetër, nuk është e gatshme të paguajë klauzolën e lirimit të sulmuesit, çka e ka bllokuar për momentin marrëveshjen. Për këtë arsye, si alternativa të mundshme për të ardhmen e tij përmenden Arsenal dhe Paris Saint-Germain, nëse lojtari nuk ndryshon qëndrim.

Megjithatë, mungesa e Alvarez në prezantimin e fanellës nuk do të thotë domosdoshmërisht se largimi i tij është i afërt. Edhe futbollistë të tjerë që pritet të vazhdojnë te Atlético Madrid, si Hancko, Pablo Barrios dhe Ademola Lookman, nuk ishin pjesë e fotos promovuese.

Në të njëjtën kohë, klubi ka bërë një detaj interesant në uniformën e re. Fanella e nxehjes do të ketë të stampuar një rrjetë merimange, një referencë ndaj fanellës së sezonit 2004/05, por që shumë tifozë e kanë interpretuar edhe si një homazh për Julian Alvarez, i njohur me nofkën “La Arana” (Merimanga).

Mbetet për t’u parë nëse Julian Alvarez do ta veshë ndonjëherë këtë fanellë në ndeshje zyrtare apo do të largohet nga Madridi gjatë kësaj vere.

Top Channel