Zyrtare/ Ndizet Botërori! Konfirmohen çiftet e fazës me eliminim direkt, ja rruga e favoritëve deri në finalen e madhe
Argjentina ka kaluar me sukses të plotë në fazën tjetër të Botërorit, duke mposhtur Jordaninë me rezultatin e pastër 3-1 në ndeshjen e fundit të Grupit J, duke e mbyllur me 9 pikë.
Me vendin e parë të siguruar paraprakisht, trajneri Lionel Scaloni vendosi të bënte plot 9 ndryshime në formacionin titullar, duke lënë fillimisht në stol kapitenin Lionel Messi. Megjithatë, “Albiceleste” treguan forcën e tyre që në pjesën e parë.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë për argjentinasit. Në minutën e 19-të, Giovani Lo Celso, i cili mori rolin e Messit në fushë, hapi serinë e golave me një goditje dënimi fantastike nga rreth 18 metra distancë.
Presioni i Argjentinës vazhdoi dhe rreth gjysmë ore lojë, pas një rishikimi në VAR për një ndërhyrje të rrezikshme të Ehsan Haddad ndaj Marcos Senesi-t, u akordua penallti. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Lautaro Martínez, duke shënuar golin e tij të parë në këtë Botëror dhe duke çuar shifrat në 2-0 përpara pushimit të pjesëve.
Në pjesën e dytë, Jordania u rikthye në lojë falë lëvizjeve taktike të trajnerit Jamal Sellami. Në minutën e 55-të, pas një krosimi të ulët nga Haddad, Musa Al-Tamaari ngushtoi diferencën në 2-1.
Ky gol zgjoi Argjentinën, dhe në minutën e 60-të, Scaloni hodhi në fushë “artilerinë e rëndë”. Lionel Messi u fut në lojë nën duartrokitjet e zjarrta të tifozëve në Stadiumin e Dallasit, duke shënuar paraqitjen e tij të 29-të në historinë e Kupës së Botës.
Pikërisht njeriu i ndeshjes u kujdes të shuante shpresat e jordanianëve. Dhjetë minuta para përfundimit, Messi ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi të ulët, duke mposhtur portierin Yazeed Abulaila për të vulosur rezultatin final në 3-1. Ky ishte goli i tij i 19-të në karrierë në Botërore.
Argjentina e mbyll fazën e grupeve me 3 fitore në 3 ndeshje (rekord 100%). Në raundin e 32 skuadrave (1/16-at), ata do të përballen me debutuesit e Kepit të Gjelbër në Miami.
Nga ana tjetër, Jordania eliminohet nga turneu me tre humbje në po aq ndeshje, por skuadra e Sellamit largohet me kokën lart duke arritur të shënojë të paktën një gol në çdo sfidë të kësaj aventure historike.
Rezultati:
Jordani 1-3 Argjentinë
Tamari 55’ / Lo Celso 19’, Lautaro (P) 31’, Messi 80’
Goli i Messit (Video)
Top Channel