Skuadra më e pafat e turneut/ Si Irani u eliminua nga Botërori brenda 24 orëve, edhe pse nuk humbi asnjë ndeshje

28/06/2026 10:17

Kombëtarja e Iranit përjetoi një nga eliminimet më dramatike të këtij edicioni të Kupës së Botës, duke u larguar nga turneu pas një serie ngjarjesh të pabesueshme në vetëm 24 orë.

Në ndeshjen ndaj Egjiptit, iranianët shënuan një gol në sekondat e fundit që dukej se u siguronte kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Megjithatë, pas rishikimit me sistemin VAR, goli u anulua, duke e lënë Iranin në vendin e tretë të grupit.

Shpresat për vazhdimin e rrugëtimit mbetën te rezultatet e skuadrave të tjera, pasi Irani priste të kualifikohej si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.

Fillimisht, iranianët shpresuan që Gana të fitonte ndaj Kroacisë, por ballkanasit përmbysën gjithçka në minutat e fundit dhe fituan ndeshjen.

Më pas, vëmendja u zhvendos te sfida e Republikës Demokratike të Kongos, ku Irani kishte nevojë për një barazim ose humbje të kongolezëve. Edhe aty, shpresat u shuan, pasi DR Kongo përmbysi rezultatin dhe fitoi takimin në 15 minutat e fundit.

Shansi i fundit erdhi në përballjen mes Austrisë dhe Algjerisë. Iranit i nevojitej një fitues në këtë ndeshje për të siguruar kualifikimin.

Algjeria shënoi në minutën e 93-të dhe tifozët iranianë nisën festën, duke besuar se ëndrra ishte bërë realitet. Por vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 96-të, Austria barazoi rezultatin, duke vulosur eliminimin e Iranit.

Një fund tepër i hidhur për Iranin, i cili e mbylli fazën e grupeve pa asnjë humbje, por gjithsesi nuk arriti të sigurojë një vend në fazën tjetër të Kupës së Botës.

Top Channel