Modric nuk ndalet, kapiteni kroat vendos rekord historik në Botëror me asistin ndaj Ganës

28/06/2026 01:09

Kroacia siguroi kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Ganën me rezultatin 2-1 dhe e mbylli Grupin L në vendin e dytë me 6 pikë, pas Anglisë.

Ndeshja u vendos në minutat e fundit, kur në të 83-tën Luka Modric dhuroi një asist perfekt për Nikola Vlasic, i cili shënoi golin e fitores dhe vulosi kualifikimin e kroatëve.

Përveç suksesit të ekipit, mbrëmja ishte historike edhe për kapitenin kroat. Me asistin ndaj Vlasicit, Luka Modric u bë asistuesi më i vjetër në historinë e Kupës së Botës, duke e realizuar këtë rekord në moshën 40-vjeçare.

Mesfushori legjendar vazhdon të sfidojë kohën, duke dëshmuar se klasi dhe vizioni i tij mbeten vendimtarë edhe në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Falë këtij triumfi, Kroacia e mbylli grupin me 6 pikë dhe do të vazhdojë rrugëtimin në fazën e 1/16-ve, ndërsa Gana avancon gjithashtu më tej si një nga 8 vendet e treta më të mira.

Top Channel