Askush më parë si ai, Romelu Lukaku futet nga stoli dhe arrin statistikën historike në Botëror
Eliminimi është shumë pranë për Korenë e Jugut në Kupën e Botës, ndërsa zemërimi i tifozëve është kthyer tashmë kundër trajnerit Hong Myung-Bo.
Pas humbjes surprizë 1-0 ndaj Afrikës së Jugut, tifozët koreano-jugorë kanë nisur një peticion për shkarkimin e menjëhershëm të teknikut, duke e cilësuar fushatën e ekipit në Botëror si një nga më të dobëtat në histori.
Koreja e Jugut e mbylli fazën e grupeve me një fitore dhe dy humbje në Grupin A, duke mbetur në pritje të rezultateve të tjera për të shpresuar në kualifikimin si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.
Një nga vendimet më të diskutuara të Hong ishte lënia në stol e kapitenit Son Heung-min në sfidën ndaj Afrikës së Jugut, hera e parë që sulmuesi nuk ishte titullar në një ndeshje të rëndësishme të kombëtares.
Në peticionin e publikuar nga tifozët, emërimi i Hong Myung-Bo është cilësuar si “thelbësisht i paligjshëm”, me pretendimin se Federata Koreane e Futbollit ka anashkaluar procedurat zyrtare gjatë zgjedhjes së trajnerit.
“Të pajisur me atë që shumë e konsideronin skuadrën më të fortë në historinë e Koresë së Jugut në Kupën e Botës, përfunduam fazën e grupeve me vetëm një fitore dhe dy humbje. Paraqitja ndaj Afrikës së Jugut ishte aq pa jetë, sa mund të konsiderohet një nga më të dobëtat në historinë e kombëtares sonë në Botëror”, thuhet në peticion.
Gjithashtu, tifozët kërkojnë që në të ardhmen të mos lejohen më emërime të trajnerëve pa miratimin e organeve kompetente të Federatës, duke e konsideruar mënyrën se si u zgjodh Hong Myung-Bo si të papranueshme.
Presioni ndaj trajnerit është rritur ndjeshëm dhe mbetet për t’u parë nëse Federata Koreane do të marrë masa pas përfundimit të aventurës në Kupën e Botës.
Top Channel