Gara globale për dominimin e teknologjisë po hyn në një fazë të re. Pas betejës për inteligjencën artificiale dhe çipat, vëmendja është zhvendosur te robotët humanoidë, me Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe Europën që po investojnë miliarda dollarë për të fituar epërsinë në një treg që pritet të transformojë industrinë dhe ekonominë botërore.

Kina konsiderohet aktualisht lider në prodhimin masiv të robotëve humanoidë. Kompanitë kineze po rrisin me shpejtësi prodhimin, ndërsa robotët tashmë testohen në fabrika, magazina dhe madje edhe në aktivitete publike.

Përballë këtij avancimi, SHBA po sinjalizon masa për të mbrojtur industrinë vendase. Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ka deklaruar se Uashingtoni po shqyrton importet e robotëve të subvencionuar nga Kina. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të prodhojnë robotët e së ardhmes brenda vendit dhe të mos krijojnë varësi nga teknologjia kineze.

Nvidia prezantoi platformën e re Halos for Robotics, e cila synon t’i bëjë robotët humanoidë më të sigurt dhe më të aftë për të punuar pranë njerëzve. startup-i amerikan Agility Robotics po hyn në bursë me një vlerësim prej 2.5 miliardë dollarësh për të zgjeruar prodhimin e robotit humanoid “Digit”. Edhe Europa nuk dëshiron të mbetet pas.

Kompani si Neura Robotics në Gjermani po tërheqin investime të mëdha, ndërsa partneritete të reja me Nvidia dhe prodhues të tjerë synojnë krijimin e një industrie europiane të robotëve humanoidë.

Objektivi është që kontinenti të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën në një sektor që pritet të revolucionarizojë prodhimin, logjistikën, shëndetësinë dhe shërbimet.

Ekspertët besojnë se beteja për robotët humanoidë mund të jetë po aq vendimtare sa gara për inteligjencën artificiale. Vendet që do të dominojnë këtë teknologji pritet të fitojnë një avantazh të madh ekonomik dhe industrial në dekadat e ardhshme.

Top Channel