Eliminimi i Uruguait trondit Bielsa-n, trajneri argjentinas bën deklaratën e fortë: Gjithçka që kemi bërë nuk ka më vlerë

27/06/2026 10:57

Eliminimi i Uruguait nga Kupa e Botës ka lënë një shije të hidhur te trajneri Marcelo Bielsa, i cili nuk i kurseu kritikat ndaj vetes dhe ekipit pas përfundimit të aventurës në turne.

“Celeste” u mposht 1-0 nga Spanja në ndeshjen vendimtare dhe i dha lamtumirën Botërorit, pasi grumbulloi vetëm dy pikë në fazën e grupeve, falë barazimeve ndaj Arabisë Saudite dhe Kepit të Gjelbër.

Në konferencën për shtyp, tekniku argjentinas u shfaq i dëshpëruar dhe pranoi se puna e tij nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

“Çfarë i lë futbollit uruguaian? Asgjë, sepse çdo kontribut që një trajner mund të japë pas tre vitesh pune nuk materializohet nëse nuk merr rezultate. Vendi i katërt në kualifikueset e Kupës së Botës nuk kishte shumë rëndësi, as vendi i tretë në Kupën e Amerikës”, deklaroi Bielsa.

Trajneri 70-vjeçar beson se Uruguai meritonte më shumë nga ky Botëror, por fati nuk ishte në anën e skuadrës së tij.

“Mendoj se meritonim të fitonim shtatë pikë nga tre ndeshje, por po largohemi vetëm me dy. Mandati im është një që nuk lë gjurmë”, shtoi ai.

Kontrata e Bielsa-s me Federatën Uruguaiane skadon në fund të Kupës së Botës dhe e ardhmja e tij mbetet e paqartë.

Uruguai, që renditet i 19-ti në renditjen e FIFA-s, u bë kombëtarja me renditjen më të lartë që është eliminuar deri tani nga Botërori, duke mbyllur një turne shumë poshtë pritshmërive.

Top Channel