Botërori 2026/ Çfarë është Yataragasu, korbi që shfaqet në logon e Japonisë dhe çfarë simbolizon për kombëtaren aziatike?
Një festival i krijuar për tifozët e Kupës së Botës në Meksikë është përballur me pjesëmarrje shumë të ulët, pasi është ndërtuar pranë një zone të njohur për praninë e mijëra krokodilëve të egër.
Festivali Cancun Fut Fest, i organizuar në Malecón Tajamar, u promovua si një hapësirë falas për tifozët, me transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve, aktivitete kulturore, lojëra dhe ushqim rruge.
Megjithatë, vendndodhja e tij pranë Nichupté Lagoon ka ngritur shqetësime, pasi zona është habitat i mijëra krokodilëve të egër, disa prej të cilëve arrijnë deri në 4.5 metra gjatësi.
Për të mbërritur në festival, tifozët duhet të ecin rreth 800 metra përmes një zone ku janë vendosur tabela paralajmëruese që i këshillojnë vizitorët të mos largohen nga shtegu kryesor për shkak të rrezikut nga zvarranikët.
Ekrani gjigant ku transmetohen ndeshjet është vendosur buzë lagunës, pikërisht në zonat ku krokodilët zakonisht dalin për t’u ngrohur. Sipas raportimeve, këta zvarranikë shfaqen më shpesh në mbrëmje, në të njëjtën kohë kur transmetohen ndeshjet e Botërorit.
Për të garantuar sigurinë, zona po monitorohet nga patrulla të armatosura policore, por kjo nuk ka mjaftuar për të tërhequr numrin e pritur të vizitorëve.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se festivali ka qenë i mbushur vetëm gjatë ndeshjeve të Meksikës, ndërsa në ditët e tjera ka mbetur pothuajse i shkretë.
Ndërkohë, kombëtarja meksikane po kalon një moment të shkëlqyer në Kupën e Botës 2026. Meksika e mbylli Grupin A me pikë të plota, pas fitoreve ndaj Afrikës së Jugut, Koresë së Jugut dhe Republikës Çeke, duke siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
Megjithatë, ndërsa skuadra po shkëlqen në fushë, organizatorët e festivalit në Kankun vazhdojnë të përballen me një problem të pazakontë: frikën e tifozëve nga krokodilët që ndodhen vetëm pak metra larg zonës së transmetimeve.
Top Channel