Ronaldinho te Ravenna/ Nis shitja e fanellave me emrin e tij, përgatitet një pritje spektakolare
Carlo Ancelotti, trajneri i kombëtares së Brazilit, deklaroi se Neymar është në gjendje të luajë në ndeshjen e ardhshme që zhvillohet në orët e para të mëngjesit të së enjtes kundër Skocisë. Ky do të jetë Botërori i katërt për futbollistin aktual të Santosit, 34 vjeç, pas atyre të Brazilit 2014, Rusisë 2018 dhe Katarit 2022.
Tre faza finale të Kupës së Botës që kanë sjellë shumë histori për ish-yllin e Barcelonës dhe PSG-së. Sepse Botërorët i kanë sjellë Neymarit edhe shumë lot. Gjithçka nisi me dëmtimin që i shkaktoi kolumbiani Camilo Zuniga, i cili me një goditje me gju në shpinë i shkaktoi një frakturë të vertebrës në çerekfinalen e Botërorit Brazil 2014.
Zuniga jo vetëm që i dha fund pjesëmarrjes së Neymarit në atë turne (ku ai kishte realizuar 4 gola dhe 1 asist për Brazilin, vendin organizator), por, siç tregoi vetë futbollisti, “nëse goditja do të kishte qenë dy centimetra më në qendër, mund të kisha mbetur në karrocë invalidësh”.
Neymar humbi pjesën e mbetur të Botërorit. Dëmtimi i tij pati një ndikim të madh te shokët e skuadrës. Në gjysmëfinale, kundër Gjermanisë, Brazili pësoi një humbje poshtëruese, atë që njihet si rezultati historik 7-1.
Katër vite më vonë, në Botërorin e Rusisë 2018, Brazili dhe Neymari (atëherë lojtar i PSG-së) u eliminuan në çerekfinale nga Belgjika, e cila e përfundoi turneun në vendin e tretë (1-2). Neymar shënoi 2 gola në Rusi: një në fitoren 2-0 ndaj Kamerunit dhe një tjetër në suksesin 2-0 kundër Meksikës.
Lot pati edhe në Botërorin e Katarit 2022, kur Brazili u eliminua nga Kroacia pas penalltive në çerekfinale. Neymar i dha avantazhin Brazilit me një gol të shkëlqyer në minutën 105+1, por Bruno Petkovic barazoi në minutën e 117-të për rezultatin 1-1, ndërsa në serinë e penalltive Kroacia fitoi 4-2. Në atë Botëror, përveç golit ndaj Dominik Livakovićit (heroit të penalltive), Neymar realizoi edhe një gol në fitoren 4-1 kundër Koresë së Jugut.
Pikërisht kundër Kroacisë ishte edhe ndeshja e parë e Neymarit në një Botëror. Ajo u zhvillua më 12 qershor 2014 në Sao Paulo, ku sulmuesi i atëhershëm i Barcelonës realizoi dy gola në fitoren 3-1 të Brazilit ndaj një Kroacie që kishte në përbërje Luka Modric dhe Ivan Rakitic (i cili atë verë u transferua te Barcelona).
Edhe pse kjo tashmë i përket një historie tjetër, Neymar dhe Rakitic do të fitonin së bashku, nën drejtimin e Luis Enrique, Ligën e Kampionëve 2014-15, të pestën dhe deri tani të fundit të fituar nga Barcelona. Në finalen e zhvilluar kundër Juventusit në Olympiastadion të Berlinit (1-3), Rakitic shënoi golin e parë, Luis Suarez të dytin dhe Neymar të tretin.
Top Channel