E paparë në histori/ Teatri antik romak 1900-vjeçar kthehet në “stadium” në dritën e agimit
Një nga historitë më të çuditshme dhe më të komentuara të Kupës së Botës 2026 vjen nga Gana, ku Nana Këaku Bonsam, i cili e quan veten “spiritisti më i fuqishëm në botë”, pretendon se kishte hedhur një mallkim ndaj sulmuesit anglez Harry Kane për ta penguar të shënonte kundër Ganës.
Edhe pse tingëllon e pabesueshme, Bonsam kishte deklaruar për mediat britanike para ndeshjes së fazës së grupeve se po punonte me “forcat e tij shpirtërore” kundër kapitenit të Anglisë.
“Po merrem me Harry Kane. Kam treguar tashmë se çfarë jam në gjendje të bëj, ndaj e di si ta ndaloj. Jam i njohur për parashikimet e mia”, kishte deklaruar ai për Daily Star.
Ai shtoi se nuk i dëshironte dëmtime të rënda sulmuesit anglez, por vetëm që të mos arrinte të shënonte kundër vendit të tij.
“Nuk dua që të lëndohet. Mjafton të qëndrojë larg vendit tim. Unë do të bëj pjesën time për të ndihmuar Ganën”, ishte shprehur “magjistari”.
Rastësi apo jo, Harry Kane zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta të tij në këtë Botëror. Sulmuesi i Bayern Munichut arriti vetëm një goditje në kuadrat dhe humbi rastin më të pastër të takimit.
Pas një topi që ra në zonë, Kane u gjend i vetëm pranë portës dhe shumë tifozë anglezë e konsideruan gol të sigurt. Megjithatë, ai çuditërisht e dërgoi topin mbi traversë.
Ndërsa shpjegimi logjik është se edhe futbollistët më të mëdhenj gabojnë, tifozët më supersticiozë nuk hezituan ta lidhin episodin me “mallkimin” e Nana Këaku Bonsam.
Për më tepër, Anglia nuk arriti të përsëriste paraqitjen bindëse të ndeshjes së parë kundër Kroacisë dhe u ndal në një barazim pa gola ndaj Ganës.
Pas ndeshjes, Bonsam publikoi një video në rrjetet sociale ku pretendon se tashmë e ka hequr mallkimin ndaj sulmuesit anglez.
“Unë jam spiritisti më i fuqishëm në botë. Tani do ta liroj Harry Kane që të mund të shënojë në ndeshjen e ardhshme të Anglisë”, deklaroi ai.
Pretendimet e “magjistarit” ganez nuk kaluan pa reagim në Britaninë e Madhe. Iluzionisti dhe magjistari britanik Uri Geller deklaroi se do të përdorte energjinë e tij për të mbrojtur Kane nga ndikimet negative.
“Para ndeshjes do të dërgoj vibracione pozitive. Do të përdor të gjitha fuqitë, energjinë dhe njohuritë e mia për të parandaluar që energjitë negative të ndikojnë te Harry Kane”, tha ai.
Geller është i njohur për pretendimin se kishte ndikuar në penalltinë e humbur nga Gary McAllister në përballjen mes Skocisë dhe Anglisë në Euro 1996.
Nana Këaku Bonsam nuk është i panjohur për deklarata të tilla. Ai kishte pretenduar edhe më parë se kishte tentuar të pengonte pjesëmarrjen e Cristiano Ronaldos në Botërorin e vitit 2014, kur Gana dhe Portugalia ndodheshin në të njëjtin grup.
Tashmë, pas “heqjes së magjisë”, Harry Kane do të përballet me Panamanë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, ku tifozët anglezë shpresojnë që sulmuesi të rikthehet te golat dhe të lërë pas ndeshjen zhgënjyese ndaj Ganës.
Top Channel