E ardhmja ende në dyshim/ Barcelona e gatshme të dëgjojë oferta për Kounde, por francezi nuk mendon largimin

24/06/2026 19:23

Merkatoja verore e Barcelonës pritet të jetë mjaft intensive. Drejtuesit e klubit katalanas kanë një objektiv kryesor për përforcimin e skuadrës, por para se të mendojnë për afrime të reja, duhet të zgjidhin edhe disa çështje brenda grupit aktual.

Për të bërë transferime, Barcelona ka nevojë edhe për largime, dhe një nga emrat që po diskutohet në zyrat e klubit është ai i Jules Koundé.

Mbrojtësi francez vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm në projektin sportiv të Barcelonës, por nuk gëzon më statusin e futbollistit të paprekshëm që kishte një vit më parë.

Kjo nuk do të thotë se klubi dëshiron ta shesë, por në Camp Nou ekziston bindja se një ofertë e rëndësishme financiare do t’i detyronte drejtuesit të paktën ta shqyrtonin seriozisht situatën.

Barcelona vazhdon të vlerësojë profesionalizmin dhe angazhimin e Koundé, por brenda klubit ka edhe analiza që tregojnë se gjatë sezonit ai ka alternuar paraqitje shumë të mira me disa ndeshje ku ka pasur rënie në performancë dhe mungesë përqendrimi, gjë që ka kushtuar në momente të caktuara.

Sipas raportimeve nga Spanja, emri i Koundé është përmendur në disa bisedime të zhvilluara nga drejtori sportiv Deco me agjentë dhe ndërmjetës gjatë muajve të fundit.

Në këto kontakte janë propozuar edhe alternativa për krahun e djathtë të mbrojtjes, por përgjigjja e Barcelonës ka qenë e qartë: klubi nuk planifikon të transferojë një mbrojtës të djathtë për sa kohë që Koundé mbetet pjesë e skuadrës.

Vetëm një largim i rëndësishëm i francezit do të hapte rrugën për një operacion të tillë në merkato.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Barcelona po kërkon në mënyrë aktive një zëvendësues. Drejtuesit thjesht po përgatiten për çdo skenar të mundshëm në rast se merkatoja sjell zhvillime të papritura.

Pengesë kryesore për çdo transferim të mundshëm mbetet vetë futbollisti. Koundé ndihet i lumtur në Barcelonë dhe nuk ka asnjë plan për t’u larguar gjatë kësaj vere.

Objektivi i tij është të vazhdojë karrierën me fanellën blaugrana dhe të rikthejë vazhdimësinë në performancë që e bëri një nga mbrojtësit më të vlerësuar në futbollin europian.

Për momentin, çdo lëvizje në krahun e djathtë të mbrojtjes së Barcelonës varet nga një skenar që duket i largët: vendimi i Jules Koundé për të ndryshuar drejtim në karrierën e tij.

Top Channel