Rituali tradicional i dasmës gjirokastrite, vendosur në skenën artistike të qytetit të gurtë, promovoi vlerat e traditës popullore si dhe tërhoqi turistë të shumtë.
Mbështetur mbi subjektin e veprës letrare “Sa u tund jeta” të Musine Kokalarit, ky rit u interpretua me nivel artistik, duke rijetësuar vlerat e traditës dhe duke i vendosur ato në shërbim të turizmit.
“Dasmën gjirokastrite dëshirojmë ta organizojmë në vazhdim, të ketë një event të shtuar në Gjirokastër, qëllimi është ruajtja e traditës kulturore, dëshirojmë të bëjmë një event të përvitshëm, të interesuar janë turistët e huaj që vijnë në Gjirokastër”, u shpreh koordinatori Hajdi Çeribashi.
“Janë zakone dhe tradita të cilat i ka zona e Gjirokastrës dhe ndryshojnë nga traditat e qyteteve të tjera dhe ne mundohemi t’i ruajmë këto tradita me qëllim që t’ia transmetojmë edhe brezit të ri, qëllimi është që gjithë turistët që vijnë do të jenë pjesë e këtij spektakli, kjo është e veçanta”, tha specialisti i artit, Stefan Arseni.
Në këtë mënyrë, Dasma gjirokastrite erdhi si një spektakël i vërtetë i traditës popullore, plot këngë, rite, valle dhe emocione.
“Vij nga Irlanda, është vizita ime e parë në Shqipëri, është diçka e veçantë të shikosh këto vlera të traditës popullore dhe të mësosh për to”, tha turisti.
“Për mua kjo ishte vizita e parë në Shqipëri, njerëzit janë mikpritës dhe këto vlera të traditës popullore janë shumë të veçanta”, tha një tjetër turiste.
Përgjatë fundjavës, në Gjirokastër organizohen aktivitete kulturore të cilat, mes të tjerash, tërheqin edhe turistët.
Top Channel