“Investitorët nuk janë armiqtë e Shqipërisë, janë aleatë”/ Fotoja e Vlorës në 1914 ndez debatin në Top Story, Shakohoxha: Mendoni ju se do t’i afrohej ndonjë turist këtij deti?

22/06/2026 22:51

Protestat dhe investimi që pritet të zhvillohet në Zvërnec janë tema kryesore e “Top Story” me Grida Dumën në mbrëmjen e sotme.

Mes diskutimeve ishte transparenca e investimit, qëndrimi ndryshe i Europës në lidhje me Parqet Kombëtare dhe një foto e vitit 1914, të cilën Shakohoxha e shfaqi në studio, ku shfaqej Vlora e asaj kohe.

Ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, u shpreh se është pro investimeve, por kërkon më shumë transparencë nga ana e qeverisë.

Pjesë nga debati

Zana Guxholli: Kërkohet një ekuilibër i mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit. Kur isha në qeveri me PD, na kanë masakruar ambientalistët për hidrocentralet në lumenj. Unë kam parë në Niagara hidrocentral dhe jam mahnitur. Në Zvërnec qeveria duhet të jetë transparente dhe të tregojë detajet, por mendoj se duhet zhvillim. Europa i ka prekur të gjithë parqet dhe vjen këtu e kërkon t’i ruajmë.

Gazetari Dritan Shakohoxha solli një foto të Vlorës së vitit 1914 dhe shtroi pyetjen se nëse Vlora do të ishte ende e tillë, a do të ishte turizëm kaq të zhvilluar?

Dritan Shakohoxha: Kjo ka qenë Vlora e vjetër, mendoni ju se do t’i afrohej njeri detit të kësaj Vlore? Megjithatë, mendoj se ambientalistët duhet të jenë pjesë e tavolinës së vendimmarrjes. Këtu njerëzit duhet të kenë kushte maksimale për të investuar, shqiptarë dhe të huaj. Investitorët nuk janë armiqtë e Shqipërisë, janë aleatë. Pa investime, ky vend nuk bëhet. Duhet guxim të investosh në Shqipëri.

Aktivistja mjedisore, Besiana Lumi, u shpreh se duhet të zbatohen me rigorozitet rregullat e vendosura nga BE për ndërtimet në Parqet Kombëtare.

Besiana Lumi: Unë kam punuar edhe për mbrojtjen e Vjosës. Greqia ka një hidrocentral në burimin e Vjosës dhe bëhet betejë për të liruar një pjesë të ujit. Ndërtimi nuk është fusha ime, por në Europë ka rregulla sesi ndërtohet në një zonë Parku Kombëtar. Kemi rastin e Thethit, që ishte Park Kombëtar dhe ndërtimet ishin pa leje. Në Zvërnec kemi një zonë të mbrojtur dhe nuk është publike një vlerësim të ndikimit në mjedis.

Top Channel