Inteligjenca Artificiale me përfitimet dhe sfidat që sjell ishte në fokus të dy aktiviteteve që u zhvilluan javën që lamë pas në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.
Përmes kursit njëjavor “Foundations of AI” (bazat e inteligjencës artificiale) dhe konferencës ndërkombëtare “Perspectives on Intelligent Systems” (perspektivat e sistemeve inteligjente), studentë, pedagogë dhe profesionistë nga Shqipëria dhe rajoni morën pjesë në trajnime intensive, punëtori praktike dhe aktivitete bashkëpunuese, me fokus kuptimin e thellë të inteligjencës artificiale, mënyrën e funksionimit të saj, kufizimet dhe përdorimin e përgjegjshëm në arsim, kërkim shkencor dhe industri.
Aktivitetet mblodhën mbi 110 pjesëmarrës nga 20 institucione dhe 5 shtete, ndërsa ligjëratat u zhvilluan nga profesorë dhe studiues të universiteteve prestigjioze ndërkombëtare, si American University, Virginia Tech, George Mason University, Birmingham City University dhe Universitat Politècnica de Catalunya.
“Studentët kanë qenë shumë të entuziazmuar që po mësojnë bazat dhe zbatimin praktik të sistemeve të inteligjencës artificiale: si funksionojnë dhe si të përdoren në mënyrë efektive”, tha Prof. Michael Robinson-American University, Washington DC..
Nisma u organizua nga AlbaNovus, qendër e krijuar nga studiues shqiptarë në diasporë, me synimin për të sjellë në Shqipëri ekspertizë ndërkombëtare, rrjete bashkëpunimi dhe mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë.
Përmes këtyre aktiviteteve, Vlora dhe Universiteti “Ismail Qemali” u shndërruan në një pikë takimi të rëndësishme për diskutimin e së ardhmes së inteligjencës artificiale dhe teknologjive inteligjente.
Top Channel