Nga mjalti… te ‘helmi’, “Mëkati” që solli përçarjen midis Trump dhe Melonit

20/06/2026 08:21

Marrëdhëniet mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni duket se kanë hyrë në një periudhë tensioni të fortë, duke zbehur atë që dikur konsiderohej një aleancë e ngushtë politike mes dy liderëve të krahut të djathtë.

Kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë, Meloni ishte ndër liderët evropianë më të afërt me presidentin amerikan. Ftesa e saj në ceremoninë e betimit u interpretua si shenjë e një partneriteti të veçantë mes Uashingtonit dhe Romës.

Megjithatë, muajt e fundit raportet mes tyre janë ftohur ndjeshëm. Tensionet u thelluan pas konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, një zhvillim që ka krijuar debate të forta edhe në Itali.

Përplasja u bë publike pas një deklarate të Trump, i cili pretendoi se Meloni e kishte lutur për të bërë një fotografi me të gjatë samitit të G7. Kryeministrja italiane reagoi menjëherë, duke e mohuar deklaratën dhe duke theksuar se Italia nuk i kërkon favore askujt.


Më pas, Trump kritikoi Melonin për qëndrimin e saj ndaj NATO-s dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke lënë të kuptohet se pakënaqësia e tij lidhet me refuzimin e Italisë për të mbështetur disa iniciativa amerikane në rajon.

Analistët politikë vlerësojnë se kjo përplasje ka vënë në vështirësi strategjinë e politikës së jashtme të Melonit, e cila ishte mbështetur në ruajtjen e një raporti të privilegjuar me presidentin amerikan. Sipas tyre, kryeministrja italiane tashmë përballet me presionin për të përcaktuar një kurs më të pavarur ndaj Uashingtonit.

Ndërkohë, opozita italiane e ka shfrytëzuar situatën për të kritikuar qeverinë, duke argumentuar se afrimi i tepërt me Trump nuk ka sjellë përfitimet e pritshme për Italinë.

Pavarësisht tensioneve të fundit, mbetet e paqartë nëse përplasja mes dy liderëve do të ketë pasoja afatgjata në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Italisë. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se raporti që dikur konsiderohej një nga më të fortët mes Uashingtonit dhe një kryeqyteti evropian po kalon një nga momentet më të vështira.

Top Channel