Nga makthi i vizave në tribunat e SHBA-së, historia prekëse e nënës që do të shohë të birin në Botëror falë ndërhyrjes së Departamentit të Shtetit
Trajneri i përfaqësueses së Kanadasë, Jesse Marsch, ka reaguar me shqetësim të madh pas dëmtimit të rëndë të mesfushorit Ismael Kone gjatë ndeshjes kundër Katarit.
Incidenti ndodhi në minutat e para të pjesës së dytë, kur Kone u godit rëndë nga mesfushori i Katarit, Assim Madibo. Sipas Marsch, momenti ishte aq i rëndë sa që lojtarët dhe tifozët mundën të dëgjonin thyerjen e kockës në fushë.
“Nuk ishte e lehtë për askënd. Ndodhi pikërisht para nesh dhe të gjithë e dëgjuam kockën duke u thyer,” deklaroi trajneri kanadez pas ndeshjes.
Në atë moment, Kanadaja po fitonte 3-0 dhe kishte epërsi numerike në fushë, por dëmtimi i rëndë i Kone e zbehu atmosferën e fitores. Mesfushori, që aktivizohet te US Sassuolo Calcio, u transportua menjëherë në spital dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
“Jemi të gjithë të tronditur, jo vetëm për shkak të seriozitetit të dëmtimit, por edhe sepse Ismael është një figurë shumë e rëndësishme për shpirtin e skuadrës sonë. Do të jetë një mungesë e madhe për ne,” shtoi Marsch.
Pavarësisht dhimbjeve të mëdha, Kone tregoi forcë karakteri teksa largohej nga fusha. Ai mbante maskën e oksigjenit me njërën dorë dhe përshëndeste tifozët me tjetrën, në përpjekje për t’i qetësuar.
“Ai arriti t’i bënte të gjithë të ndiheshin më të qetë pavarësisht situatës së rëndë. Kjo tregon shumë për karakterin e tij si njeri,” u shpreh trajneri.
Marsch zbuloi gjithashtu se Madibo kërkoi falje menjëherë pas incidentit.
“Ai erdhi në dhomat e zhveshjes dhe i kërkoi falje Ismaelit. Nuk besoj se kishte qëllim të bënte një ndërhyrje kaq brutale apo të shkaktonte një dëmtim kaq të rëndë,” tha trajneri kanadez.
Megjithatë, ai kritikoi reagimin e pankinës së Katarit pas kartonit të kuq të dhënë për Madibon.
“Nuk e kuptoj reagimin e tyre. Një lojtar sapo kishte pësuar thyerje të këmbës dhe ata po përpiqeshin të nxisnin një përplasje për shkak të një kartoni të kuq. Ishte një sjellje mjaft e çuditshme,” përfundoi Marsch.
Top Channel