Fanella e Gjermanisë thyen pritshmëritë në treg, kërkesa masive për personalizim shkakton mungesë të shkronjës… V

17/06/2026 11:14

Entuziazmi i tifozëve gjermanë për kombëtaren e tyre ka krijuar një situatë të pazakontë për gjigantin sportiv Adidas: shkronja “V” është shitur përkohësisht në sistemin e personalizimit të fanellave zyrtare.

Shkaku lidhet me kërkesën e lartë për fanellat e lojtarëve si Kai Havertz, Deniz Undav dhe Aleksandar Pavlović, ku shkronja “V” është thelbësore për printimin e mbiemrave të tyre. Për shkak të këtij interesi të papritur, tifozët nuk kanë mundur përkohësisht të porosisin fanella të personalizuara me këta emra në dyqanet online.

Adidas ka konfirmuar problemin, i cili fillimisht u raportua nga media gjermane Bild, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për mungesë të përkohshme të stokut.

“Kërkesa e madhe për personalizime me emrat Undav, Havertz dhe Pavlović ka shkaktuar mungesë të përkohshme të shkronjës ‘V’,” deklaroi një zëdhënës i kompanisë. Sipas tij, furnizimet po rimbushen dhe shërbimi do të rikthehet së shpejti në normalitet.

Fenomeni vjen në një moment kur shitjet e fanellave të kombëtares gjermane janë rritur ndjeshëm, sidomos pas shpalljes së skuadrës dhe nisjes së turneut përgatitor. Fanella e re e Gjermanisë po rezulton më e suksesshme se sa pritej në treg.

Adidas, e cila furnizon një pjesë të madhe të ekipeve pjesëmarrëse në kompeticione të mëdha ndërkombëtare, pret të ardhura të konsiderueshme nga cikli i ardhshëm i turneve, përfshirë edhe Kupën e Botës 2026.

Në të njëjtën kohë, edhe kompania Puma ka raportuar performancë të fortë të shitjeve, veçanërisht për fanellat e Portugalisë, Marokut dhe disa kombëtareve afrikane dhe oqeanike.

Top Channel