Historia e Stale Solbakken, nga të qenit ‘i vdekur’ për 7 minuta pas një infarkti, te prania në Botëror me Norvegjinë e Haaland
Kombëtarja e Iranit po përballet me vështirësi administrative gjatë pjesëmarrjes në Kupën e Botës, pasi sulmuesi Mehdi Torabi rrezikon të mos jetë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme për shkak të problemeve me vizën amerikane.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, Torabi ka shfrytëzuar tashmë vizën e vetme të hyrjes në Shtetet e Bashkuara gjatë udhëtimit për ndeshjen e parë të Iranit ndaj Zelandës së Re, e cila u mbyll në barazim 2-2.
Ndryshe nga ai, pjesa tjetër e lojtarëve të kombëtares iraniane janë pajisur me viza që u lejojnë hyrje dhe dalje të shumëfishta nga territori amerikan. Për këtë arsye, Federata e Futbollit e Iranit ka nisur procedurat për pajisjen e Torabit me një vizë të re, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për ndeshjet e mbetura të turneut.
IRNA raportoi gjithashtu se kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, si dhe një anëtar i stafit teknik, kanë hasur vështirësi në aeroportin e Los Angeles gjatë procedurave të largimit pas ndeshjes.
Rasti i Torabit i shtohet një sërë problemesh me vizat që delegacioni iranian ka hasur që në fillim të kompeticionit. Sipas raportimeve, rreth 15 anëtarëve të delegacionit iranian u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër vështirësi për ekipin iranian është fakti se skuadra nuk ka leje të qëndrojë në territorin amerikan pas ndeshjeve. Pas përfundimit të çdo takimi, delegacioni duhet të rikthehet menjëherë në Tijuana, në Meksikë.
Irani do të përballet me Belgjikë më 21 qershor në Los Angeles, ndërsa më 26 qershor do të luajë ndaj Egjipt në Seattle. Problemet me vizat dhe kufizimet e lëvizjes po konsiderohen si një pengesë shtesë për përfaqësuesen iraniane në këtë edicion të Kupës së Botës.
Top Channel