“Katastrofë”/ Barazimi i Spanjës në ndeshjen e parë, kryqëzohet ekipi i De La Fuentes

15/06/2026 22:23

Barazimi pa gola 0-0 mes Spanjës dhe Kepit të Gjelbër në Botëror ka nxjerrë në pah një paraqitje të dobët të kampionëve në fuqi të Evropës, të cilët pavarësisht 27 goditjeve në total, arritën të krijojnë vetëm pak raste të rrezikshme.

Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente u duk larg versionit dominues që fitoi Euro 2024, duke mos arritur të imponojë ritmin dhe kreativitetin e zakonshëm në fazën sulmuese.

Mungesa në formacionin fillestar të yjeve si Lamine Yamal dhe Nico Williams u konsiderua një faktor që ndikoi në mungesën e thellësisë në sulm, edhe pse të dy futbollistët u aktivizuan në pjesën e dytë.

Nga ana tjetër, performanca e Mikel Oyarzabal si qendërsulmues u kritikua, me analistët që theksuan se ai nuk është një “numër 9” klasik për të përballuar mbrojtje fizike si ajo e Kepit të Gjelbër.

Mediat spanjolle kanë reaguar ashpër pas ndeshjes, me disa tituj që e cilësojnë paraqitjen si “katastrofë” dhe vënë në pikëpyetje zgjedhjet taktike të trajnerit.

Spanja do të kërkojë të rikuperohet në ndeshjen e radhës ndaj Arabisë Saudite, ku çdo hap fals mund të komplikojë rrugëtimin e saj në turne, pavarësisht statusit si një nga favoritët për trofeun.

Top Channel