Tregolësh i Olise, Franca mposht Irlandën e Veriut dhe jep mesazhin përpara Botërorit
Spanja e mbylli me fitore fazën përgatitore për Kupën e Botës, duke mposhtur Perunë me rezultatin 3-1 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Puebla, vetëm pak ditë para nisjes së turneut më të madh të futbollit.
Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente e nisi në mënyrë perfekte takimin, teksa Mikel Oyarzabal zhbllokoi rezultatin që në minutën e dytë.
Spanja vazhdoi të dominojë lojën dhe dyfishoi avantazhin pas gjysmë ore lojë. Pedri përfitoi nga një aksion i bukur i Ferran Torres dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-0.
Vetëm pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, spanjollët realizuan edhe golin e tretë. Një harkim i Yeremy Pinos shkaktoi gabim të portierit peruan Pedro Gallese, duke i dhënë Spanjës një epërsi të sigurt.
Peruja arriti të ngushtojë diferencën me Jairo Velez, i cili shënoi me një goditje të ulët për rezultatin përfundimtar 3-1.
Atmosfera në stadiumin e Puebla-s ishte e jashtëzakonshme, me mijëra tifozë që kishin mbushur tribunat. Fanellat e Spanjës dominonin në shkallët e stadiumit, ndërsa shumë tifozë mbanin edhe fanella të Barcelonës, klub që ka disa përfaqësues në kombëtaren spanjolle.
Pedri, Rodri dhe Ferran Torres ishin ndër lojtarët që morën më shumë duartrokitje nga publiku, ndërsa tifozët krijuan një atmosferë festive me këngë dhe valë në tribuna.
Pas ndeshjes, Pedri u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe me mbështetjen e tifozëve.
“Ky ishte një takim për të fituar ritëm dhe besim para Botërorit dhe ia dolëm. Nuk e dija që më donin kaq shumë këtu në Meksikë”, tha mesfushori spanjoll.
Edhe Oyarzabal, i cili shënoi golin e parë të sfidës, u shfaq optimist para nisjes së Kupës së Botës. Sulmuesi vazhdoi serinë e tij pozitive, duke shënuar për të gjashtën ndeshje radhazi me fanellën e Spanjës.
“Jam i lumtur dhe përpiqem të ndihmoj ekipin në çdo mënyrë. Ajo që na ka bërë të suksesshëm është se si grup e dimë çfarë duhet të bëjmë dhe kemi besim tek njëri-tjetri”, deklaroi ai.
Trajneri Luis de la Fuente përshëndeti paraqitjen e skuadrës së tij, por refuzoi ta konsiderojë Spanjën favorite absolute për trofeun.
“Të konsiderohesh favorit nuk garanton asgjë. Ne kemi besim te vetja dhe te mënyra si luajmë, por ka shumë kombëtare të tjera me cilësi dhe potencial të ngjashëm”, tha ai.
Kupa e Botës nis këtë të enjte, ndërsa kampionia e vitit 2010 do të luajë ndeshjen e saj të parë më 15 qershor ndaj Kepit të Gjelbër, me objektivin për të rikthyer lavdinë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Top Channel