Nga Endri Arizi

Populli po flet! Por a mjafton një protestë disa ditore për të rrëzuar një qeveri?

Qeveria tranzitore është kushti i vendosur nga protestuesit. Thirrjet “Rama Ik! Berisha Ik” apo “Rama n’burg, Berisha n’burg” kanë bërë bashkë shumë të rinj e të reja, nëna e fëmijë, burra por dhe të moshuar, të dalin në shesh e për shumë ditë me radhë, për herë të parë, t’i japin një “goditje” të fortë klasës politike. “Lindëm duke parë Berishën dhe u ngritëm më këmbë me Edi Ramën në pushtet”, tha deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi gjatë një replike me deputetin demokrat, Gent Strazimiri në Kuvend pak ditë më parë.

Por nga ana tjetër, Partia Mundësia ka nxituar të përqafojë protestuesit, bashkë me Lëvizjen Bashkë, dhe Shqipëria Bëhet e të kërkojnë në unison largimin e kryeministrit Edi Rama, i cili, nën lidershipin e tij, mundi të sigurojë në zgjedhjet e 11 Majit 2025 plot 83 mandate. Një shumicë cilësuese që pa mbushur vitin ka marrë tronditjen më të madhe që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet. Një protestë lokale për tokat në Zvërnec, ku parashikohet investimi për ngritjen e një resorti turistik, tashmë është kthyer në temë globale, pasi ka tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave ndërkombëtare, kjo edhe për shkak të lakimit të emrit të familjes Trump.

Lufta hibride, aktorët e jashtëm apo armiqtë iranianë? Një përgjigje që nuk dihet ende, por që qeveria i ka mëshuar fort ditëve të fundit si një nga sponsorizuesit të kësaj proteste. Por që të gjitha grupet e interesit, të gjitha forcat politike opozitare, pavarësisht bindjeve, si dhe mbështetës apo simpatizantë të PS, kanë dalë për ditë të tëra në shesh e po brohorasin në kor. Madje dhe demokratë, por këta të fundit, duket se po e përdorin për politikë tubimin.

Linja e ditëve të fundit e ndjekur nga Kryetari Sali Berisha, por dhe Sekretari i Përgjithëm i PD, Flamur Noka, ka qenë plotësisht kundër protestës. Kjo edhe për faktin se ata që po dalin në shesh kërkojnë reformin dhe në radhët e PD, ndonëse një pjesë e demokratëve, mes të cilëve deputetë, janë aty dhe në heshtje pranojnë që dhe në partitën e tyre ka nevojë për reformim, pasi mungon argumenti. Fjala e lirë dhe kush i del kundër kryetarit shpallet “Armik” dhe persekutohet si shërbëtor i pushtetit.

Por a do shkoj vendi në zgjedhje të parakohshme? A do dorëzohet Edi Rama para protestuesve? Dhe sigurisht pyetja tjetër, çfarë do ndodh nësë refuzohen kushtet?

Një meme në pankartë po mbledh më shumë njerëz në shesh se sa disa fjalime politike apo analizat që bëhen rëndom në studiot televizive. Por ajo që dua të shtroj këtu është: A do dorëhiqet Rama dhe a do formohet parti tjetër mes protestuesve apo ata do t’i japin mbështetje figurave të forcave të reja politike që prej ditësh ndodhen mes tyre?

Në çdo skenar, edhe në rast dorëheqje të kryeministrit, futja në zgjedhje do të nxirrte fituese një mes Partise Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kjo për shkak dhe të Kodit Zgjedhor që kemi aktualisht.
Pra, nëse protestuesit duan “Revulucion”, prapë në skenë do jetë e njëjta kastë politike nëse vendosim pak në punë arsyen e argumentin dhe mënjanojmë emocionet.

Nëse s’ka dialog me qeverinë, nëse nuk reformohet opozita, dhe këtu flas për Partinë Demorkatike, që ka humbur besimin dhe prej kohësh ka bërë veç fresk, atëherë çfarë do ndodhë?
Eskalim situate apo protesta do të fiket dhe ata pak njerëz që i dhanë jehonë thjesht do kujtohen si ata që ndezën shkëndijën e pakënaqësisë kundër politikës por që nuk finalizuan as edhe një ndryshim.

Protestat e shëndoshin demokracinë, por kur finalizohen me reforma rrënjësore. Ndryshimi i kodit zgjedhor, rritja e kontrollit mbi institucionet, transparenca, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, mbështetja ndaj SPAK e GJKKO, si dhe reformimi i vet partive, të cilat prej vitesh nuk dëgjojnë zërin e anëtarësisë dhe janë bunkerizuar duke mos lejuar dialogun, do të ishte një hap drejt zhvillimit dhe ndryshimit të frymës politike.

Kjo do të përshpejtonte dhe më tej anëtarësimin e vendit në BE, por mbi të gjitha, do të shëndoshte demokracinë që prej 35 vitesh, u ka ofruar shqiptarëve largimin.

Cilët do të ishin skenarët në rrëzimin e një qeverie dhe sa qeveri janë rrëzuar nga protestat?
Rasti i Nepalit ishte një ndër to, por a jemi ne në këto kushte?

Ndryshimi vjen me pasoja. Këtë e kemi kujtesë të freskët, por dialogu do të shëndosh qeverisjen dhe demokracinë, kur përmbushet me reforma nga të gjitha palët mbi të gjitha shoqëria civile e qytetarët.

Ukraina rrëzoi presidentin pro-rus Viktor Yanukovych, por ndryshimi prodhoi pasoja shumë të rënda, pasi tubimet u kthyen në përplasje e luftë. Por në Shqipëri, fryma e demokracisë nuk krahasohet me këtë rast. Prandaj një nga mënyrat për të nisur epokën e ndryshimit është parashtrimi i kushteve e kërkesave për qeverinë, dialogimi e më pas nisja e ndryshimit rrënjësor përmes reformave gjithëpërfshirëse.

Edhe në rast se Rama dorëhiqet, ai do të rikandidojë sërish në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen bashkë me Sali Berishën, pasi kanë mbështetjen e anëtarësisë së partive të tyre dhe në fund Kodi Zgjedhor, do t’i nxjerr pikërisht ata fitues. Ndaj dialogu mbetet një nga opsionet që do t’i hapte rrugë ndryshimit.

Top Channel