“Busulla” për shtigjet malore në Gjirokastër, nis shënimi i shtigjeve në zona të thella për orientimin e turistëve

08/06/2026 12:50

Për herë të parë në Gjirokastër kanë nisur të shënohen shtigjet malore, një iniciativë që synon promovimin e turizmit të aventurës dhe nxjerrjen në pah të vlerave natyrore e tradicionale të zonave të thella.

Projekti po zbatohet me synimin për ta bërë më të lehtë orientimin e turistëve dhe eksplorimin e shtigjeve që lidhin fshatrat, malet dhe peizazhet karakteristike të jugut.

Eksperti i turizmit të aventurës dhe aktivisti sportiv, Joan Dhandili, u shpreh se kjo nismë është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit malor në Gjirokastër dhe për promovimin e jetës autentike të fshatrave të thellë.

Sipas tij, shënimi i shtigjeve jo vetëm rrit sigurinë dhe orientimin për vizitorët, por krijon edhe mundësi të reja ekonomike për banorët e zonave rurale.

Gjirokastra po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë eksperienca në natyrë, ecje malore dhe njohje me traditat lokale.

Top Channel