Argjentina fiton testin e parë para starit të Botërorit, asnjë minutë për Leo Messin në miqësoren kundër Hondurasit

07/06/2026 10:22

Kombëtarja e Argjentinës vijon përgatitjet për Kupën e Botës me një fitore 2-0 ndaj Hondurasit në ndeshjen miqësore të zhvilluar në College Station, Texas.

Pavarësisht atmosferës elektrizuese dhe mbështetjes së madhe nga tifozët argjentinas në stadiumin “Kyle Field”, vëmendja ishte e përqendruar te Lionel Messi, i cili nuk u aktivizua për asnjë minutë. Ylli 38-vjeçar po rikuperohet nga një lodhje muskulare e pësuar në ndeshjen e fundit me Inter Miami përpara grumbullimit me kombëtaren.

Kampionët në fuqi të botës kaluan në avantazh në minutën e 37-të, kur Lautaro Martinez u tregua i saktë nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Nicolas Tagliafico.

Në pjesën e dytë, Argjentina dyfishoi rezultatin falë Giuliano Simeones. Sulmuesi i Atletico Madrid shfrytëzoi një asist elegant me thembër nga Lautaro Martinez dhe dërgoi topin në rrjetë nga afër.

Pas ndeshjes, Martinez theksoi se skuadra është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka si kampione bote.

“Duhet të mbrojmë atë që arritëm në Katar. Do të jetë e vështirë, por do të japim maksimumin për ta përfaqësuar Argjentinën sa më lart”, deklaroi sulmuesi.

Trajneri Lionel Scaloni kreu disa ndryshime gjatë pjesës së dytë, por vendosi të mos rrezikojë me Messin. Ai shpjegoi se stafi teknik po menaxhon me kujdes ngarkesën e lojtarëve në prag të turneut.

“Kur argjentinasit zbresin në fushë, ata japin gjithmonë gjithçka. Për këtë arsye po tregojmë kujdes me minutat dhe gjendjen fizike të secilit lojtar”, tha Scaloni.

Sipas stafit mjekësor të kombëtares, rikthimi i Messit do të varet nga progresi i tij fizik në ditët e ardhshme.

Argjentina do të zhvillojë edhe një miqësore ndaj Islandës më 10 qershor, përpara debutimit në Kupën e Botës, ku do të nisë rrugëtimin në Grupin J kundër Algjerisë më 16 qershor. Më pas, skuadra e Scaloni do të përballet me Austrinë dhe Jordaninë.

Top Channel