Jo vetëm golashënuesi më i mirë, rekordi i ri dhe i veçantë që Kane i theu Wayne Rooney
Një episod i panevojshëm ka vënë në qendër të vëmendjes sulmuesin e Portugalisë, Rafael Leao, gjatë ndeshjes miqësore ndaj Kilit.
Futbollisti portugez u përjashtua me karton të kuq pas një përleshjeje në fundin e pjesës së parë, duke rrezikuar madje të përballet me pasoja edhe përpara nisjes së Kupës së Botës.
Incidenti nisi pas një dueli pranë flamurit të këndit mes mbrojtësit kilian Felipe Faundez dhe Joao Cancelos. Pas ndërhyrjes, Cancelo reagoi ndaj kundërshtarit, ndërsa situata u tensionua shpejt me përfshirjen e lojtarëve të tjerë.
Në mesin e rrëmujës, Leao dhe mbrojtësi kilian Ivan Roman shkëmbyen shtyrje, por sulmuesi portugez e agravoi situatën kur goditi kundërshtarin në fytyrë me dorë. Veprimi nuk i shpëtoi arbitrit italian Luca Zufferli, i cili pas konsultimit vendosi të nxirrte karton të kuq për të dy futbollistët.
As ndërhyrja e kapitenit Cristiano Ronaldo nuk mjaftoi për të bindur arbitrin të ndryshonte vendimin. Leao u largua nga fusha mes protestave, ndërsa pamjet e transmetimit treguan lojtarin duke buzëqeshur pas ndëshkimit.
Ngjarja ka ngritur menjëherë pikëpyetje mbi mundësinë e një pezullimi për ndeshjet e Kupës së Botës. Në raste normale, një karton i kuq i marrë në një miqësore vlen vetëm për sfidat e tjera miqësore. Megjithatë, kur bëhet fjalë për sjellje të dhunshme, Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka të drejtën të zgjerojë masën edhe për ndeshjet zyrtare.
Nëse FIFA e konsideron incidentin të rëndë, Leao mund të humbasë ndeshjet e para të Portugalisë në Botëror. Aktualisht pritet që dënimi të kufizohet në një ndeshje, çka do ta linte jashtë vetëm në testin e fundit përgatitor ndaj Nigerisë.
Pavarësisht se pritet vendimi zyrtar, episodi ka shkaktuar polemika në Portugali, pasi vjen vetëm pak ditë para fillimit të turneut më të rëndësishëm të futbollit botëror. Humbja e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit ofensiv do të ishte një goditje e fortë për ambiciet e luzitanëve.
Ndërkohë, vera e Leaos pritet të jetë e nxehtë edhe në merkato. Sulmuesi ka konfirmuar largimin nga Milani pas shtatë sezonesh, ndërsa emri i tij vazhdon të lidhet me klube të mëdha evropiane, mes tyre Manchester United dhe Galatasaray.
Top Channel