Kombëtarja e Gjermanisë triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Soldier Field” të Çikagos, në sfidën e fundit për të dy skuadrat përpara startit të Kupës së Botës.

Gjermanët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Joshua Kimmich, sulmuesi Kai Havertz shfrytëzoi një moment pasigurie të portierit amerikan dhe dërgoi topin në rrjetë me kokë për 1-0.

Megjithatë, amerikanët reaguan mirë pas golit të pësuar dhe arritën të rikthejnë ekuilibrat para pushimit. Në fundin e pjesës së parë, mbrojtësi Antonee Robinson realizoi një supergol nga rreth 23 metra, duke mposhtur portierin gjerman dhe duke vendosur baraspeshën 1-1.

Pas pushimit, trajneri Mauricio Pochettino vendosi të mos bënte ndryshime në formacion, por ishte Gjermania ajo që gjeti sërish rrugën e rrjetës. Një aksion i ndërtuar bukur nga miqtë nxori të lirë Leroy Sané, i cili finalizoi me goditje të menjëhershme për t’i dhënë epërsinë 2-1 skuadrës së tij.

Pavarësisht përpjekjeve të amerikanëve në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi dhe Gjermania siguroi një fitore të rëndësishme morale para nisjes së Botërorit.

Ndeshja u ndoq nga 63.636 tifozë në “Soldier Field”, stadium historik që kishte pritur edhe sfidën hapëse të Kupës së Botës 1994.

Tashmë SHBA-ja do të fokusohet te debutimi në Grupin D të Kupës së Botës, ku do të përballet me Paraguai më 13 qershor, ndërsa më pas do të luajë kundër Australia dhe Turqia.

Nga ana tjetër, Gjermania do ta nisë aventurën e saj në Grupin E kundër Curaçao më 14 qershor, përpara sfidave me Ekuadorin dhe Bregun e Fildishtë.

Fitorja ndaj SHBA-së i jep besim skuadrës gjermane, e cila synon të lërë pas zhgënjimet e dy Botërorëve të fundit, ku nuk arriti të kalonte fazën e grupeve.

Top Channel