Lukaku rikthehet me gol te Belgjika, “Djajtë e Kuq” mundin Kroacinë në miqësore para startit të Botërorit

02/06/2026 20:51

Sulmuesi i Belgjikës, Romelu Lukaku, është rikthyer te goli pas një periudhe të gjatë mungese për shkak dëmtimi, duke shënuar në minutën e 96-të në miqësoren ndaj Kroacisë.

33-vjeçari kishte munguar që nga shtatori i vitit 2025 për shkak të një dëmtimi në ije dhe kishte luajtur vetëm 64 minuta gjatë gjithë sezonit me klubin e tij.

Lukaku u aktivizua nga stoli në ndeshjen e zhvilluar në bregdetin Adriatik, ku trajneri Rudi Garcia vendosi të nisë me Charles De Ketelaere në repartin ofensiv.

Belgjika kaloi në avantazh në pjesën e parë me golin e Youri Tielemans në minutën e 38-të, ndërsa Kroacia u tregua rrezikshme me kapitenin Luka Modrić, i cili luajti me maskë për shkak dëmtimi dhe provoi një goditje të rrezikshme pak para pushimit.

Në pjesën e dytë, skuadra kroate, e cila përgatitet për Botërorin ku do të përballet me Anglinë më 17 qershor, goditi edhe shtyllën me Ante Budimir pranë minutës së 60-të.

Megjithatë, në kohën shtesë, Belgjika vulosi fitoren 2-0 me golin e Lukakut, i cili shënoi golin e tij të 90-të me përfaqësuesen.

Kroacia dhe Belgjika vijojnë përgatitjet e fundit për Kupën e Botës, ku të dyja skuadrat synojnë të shfaqen në formë maksimale.

Top Channel