“Spanja kampione Bote, në finale me…”/ Çfarë parashikon modeli i njohur matematikor për Botërorin 2026

01/06/2026 16:48

Kush do ta fitojë Kupën e Botës 2026? Sipas modelit më të fundit matematikor të zhvilluar nga Goldman Sachs, favoritja kryesore është Spanja, me 26% probabilitet për të ngritur trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Ndryshe nga parashikimet e zakonshme të kompanive të basteve, analiza e Goldman Sachs bazohet në një simulim kompleks statistikor që përfshin rreth 20 mijë ndeshje ndërkombëtare jo-miqësore të zhvilluara që nga viti 1978.

Modeli përdor një sistem të ngjashëm me vlerësimin Elo, i njohur nga bota e shahut, duke marrë në konsideratë jo vetëm rezultatet historike, por edhe faktorë si forma aktuale e skuadrës, cilësia e sulmit, prania e golashënuesve kryesorë dhe avantazhi i fushës.

Pas Spanjës, renditja e favoritëve vazhdon me Francën me 19%, Argjentina me 14%, Brazili me 8% dhe Anglia me 5%.

Sipas modelit, Spanja favorizohet nga vlerësimi i saj i lartë Elo, efikasiteti në sulm dhe seria e rezultateve pozitive. Në anën tjetër, Argjentina penalizohet nga fenomeni i njohur si “rënia e kampionit”, një tendencë statistikore që shpesh prek skuadrat që mbrojnë titullin. Franca ndikohet nga mundësia e përballjes me Spanjën që në gjysmëfinale, ndërsa Anglia vuan nga një short i vështirë dhe precedentët negativë në turnetë madhorë.

Simulimi parashikon edhe disa duele spektakolare gjatë turneut. Në fazën e 1/16-ave mund të zhvillohet përballja mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa në çerekfinale pritet supersfida mes Argjentinë dhe Portugali.

Një takim i tillë do të mund të sillte për herë të fundit përballë dy legjendat e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Sipas parashikimit, finalja e Botërorit 2026 do të luhet mes Argjentinës dhe Spanjës, me iberikët që do të triumfonin dhe do ta rikthenin trofeun në Evropë pas suksesit të fundit të një kombëtareje nga Amerika e Jugut.

Ndërkohë, Goldman Sachs vlerëson se 13 kombëtare kanë 0% shanse për të fituar turneun.

Top Channel