Incidenti në Zverrnec, reagojnë deputetët Bido dhe Braçe, kërkojnë t’i hiqet liçenca kompanisë private të sigurisë

31/05/2026 18:20

Deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Ardit reaguan pas incidenteve në protestën e Zvërnecit kundër ndërtimit të një resorti turistik, ku protestues u dhunuan nga roje private.

Bido përshëndeti arrestimin e një roje private dhe kërkoi hetim të plotë të ngjarjes, si dhe masa të rënda ndaj kompanisë së sigurisë nëse provohen shkelje ligjore.

“Koha t’u hiqet licensa banditëve që mendojnë se janë mbi ligjin! Arrestimi i personit që ushtroi dhune ndaj protestuesve në Zvërnec është për t’u përshëndetur. Po aq për t’u përshëndetur është edhe vendimi për të hetuar të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Vlorë. Shteti serioz nuk mbulon askënd, as privatin, as veten.

Tani hetimi duhet të shkojë deri në fund. Dhe kur të konfirmohet ajo që pamjet tregojnë qartë, pra se kompania e sigurisë ka tejkaluar kompetencat dhe ka ushtruar forcë në kundërshtim me ligjin, duhet të merren masat më të forta që parashikon ligji, deri në heqjen e licencës. Në Shqipëri nuk mund të privatizohet forca. Shteti ka vetëm një autoritet”, shprehet Bido.

Braçe e cilësoi dhunën të papranueshme dhe kërkoi përgjegjësi për autorët, duke akuzuar Policinë e Vlorës për mosgarantim të protestës dhe lejim të personave të paidentifikuar në terren.

Reagimi i plotë i Erion Braçes:

 Për ngjarjen në Vlorë

 Edhe dhunë, e egër madje; e papranueshme, e patolerueshme! Si e tillë, është krim!

 E vlerësoj vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të pezulluar drejtorin e Policisë në Vlorë.

 Por nuk mjafton!

 Aty është rrëmbyer një protestues paqësor, i cili thjesht po fliste, në sy të Policisë, në krah të policëve. Ai është goditur, është tërhequr zvarrë nga persona të paautorizuar dhe të panjohur nga ligji.

 Drejtori i Policisë nuk ka gabuar në informacion, por ka tentuar të fshehë një fakt penal, madje të rëndë.

 Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi!

 Në Plazhin e Dajlanit ishte lajmëruar në Polici se do të zhvillohej një tubim, protestë etj. Kur merr një njoftim të tillë, Policia e Shtetit ka detyrimin të marrë masa për të garantuar tubimin, protestën etj.

 Drejtori i Policisë dhe trupat në territor nuk kanë garantuar asgjë! 

Madje kanë bërë edhe më keq: kanë lejuar që në vendin e protestës të ketë njerëz me maska, pa asnjë shenjë identifikuese, si element kyç për t’i mbajtur përgjegjës në rast të shkeljes së ligjit. 

Për më tepër, këta njerëz janë shfaqur agresivë, fyes e kërcënues, të dhunshëm deri në acarimin e situatës. Shihini pamjet: nuk është vetëm një, por disa të tillë. 

Prania e tyre dhe aktet e tyre ndaj protestuesve, si edhe mosveprimi i Policisë ndaj tyre, e çuan konfliktin në konfrontim. 

Pra, drejtori i Policisë në Vlorë dhe trupat në vendngjarje jo vetëm që nuk garantuan tubimin, por lejuan edhe përshkallëzimin e protestës për shkak të dhunës së personave me maska. 

E drejta e protestës paqësore është një e drejtë e fituar që në vitin 1990 në këtë vend dhe Policia është një prej garantëve të saj. 

Ndërkohë që po shkruaj, mësoj se personi që goditi protestuesin është arrestuar. Në fakt, në aktin e rrëmbimit të tij ishin tre persona; u bënë katër me këtë që goditi. Mbeten edhe dy që e tërhoqën zvarrë. Po këta ku janë? 

Ndërkohë, zinxhiri komandues i Policisë në Vlorë është vënë nën hetim disiplinor; akt i duhur edhe ky. 

Por nëse me Policinë po ndodh kjo, po ky grup njerëzish të veshur me të zeza a po hetohet? Nëse janë roje sigurie të një kompanie të licencuar nga shteti, a mund ta gëzojnë më këtë privilegj? 

Dje i panë të gjithë se nuk sollën siguri, por dhunë!

Top Channel