Robotët pushtojnë pasarelën në Seul! Ecin, kërcejnë dhe bëjnë boks në krah të njerëzve

29/05/2026 21:21

Një shfaqje spektakolare në Seul ka ofruar një pamje të së ardhmes, ku robotë humanoidë kanë zënë skenën duke ecur në pasarelë, kërcyer përkrah njerëzve dhe madje duke marrë pjesë në ndeshje boksi përpara një publiku të madh.

Ngjarja, e titulluar “Shfaqja e Modës Fizike e IA-së”, u organizua nga Galaxy Corporation me synimin për të prezantuar potencialin e “inteligjencës artificiale fizike”, sistemeve të IA-së që ndërveprojnë me botën reale përmes trupave humanoidë.

Në pamjet e publikuara nga eventi, njerëz dhe robotë shfaqen të veshur me veshje të koordinuara, duke parakaluar së bashku në pasarelë dhe duke marrë pjesë në performanca. Një nga momentet më të spikatura ishte një koleksion i frymëzuar nga Perëndimi i Egër Amerikan, ku edhe një robot mbante një kapelë kauboji të personalizuar, ndërsa krijime të tjera sollën estetikë fantastiko-shkencore dhe glam rock të viteve ’70.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë organizuese, Choi Yong-ho, tha se qëllimi është krijimi i një realiteti ku njerëzit dhe robotët bashkëjetojnë në përditshmëri. “Besoj se një ditë njerëzit do të kopjojnë modën e robotëve dhe robotët modën e njerëzve”, u shpreh ai.

Sipas tij, ideja ka lindur nga koncepti se edhe robotët duhet të kenë identitetin e tyre, duke argumentuar se çdo njësi duhet të jetë unike. Rrobat e prezantuara në sfilatë janë dizenjuar nga kompania dhe pritet të dalin në treg më vonë gjatë vitit nën markën “MACH 33”.

Ngjarja tërhoqi gjithashtu vëmendje me ndeshje boksi mes robotëve humanoidë, njëra prej të cilave përfundoi me nokaut mes duartrokitjeve të publikut.

Sipas organizatorëve, robotët e përdorur bazohen në modele të kompanisë Unitree, e cila njihet për zhvillimin e robotëve humanoidë me kosto relativisht më të ulët.

Ndërkohë, ekspertët theksojnë se teknologjia humanoide po përparon me shpejtësi, me robotë që tashmë demonstrojnë lëvizje të koordinuara, kërcime dhe performanca akrobatike. Megjithatë, shumica e sistemeve plotësisht autonome mbeten ende në faza të kufizuara, pasi shumë demonstrime mbështeten në programim ose telekomandim.

Pavarësisht kufizimeve teknologjike, raportimet e Morgan Stanley sugjerojnë se industria ka potencial të madh rritjeje, me parashikime që numri i robotëve humanoidë në botë mund të arrijë mbi një miliard deri në vitin 2050.

Top Channel