Negociatat për fundin e luftës në Lindjen e Mesme, mediat iraniane: S`ka marrëveshje me SHBA-në, as memorandum mirëkuptimi

29/05/2026 13:26

Nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, raportojnë mediat shtetërore iraniane, të cilat hedhin poshtë  pretendimet e disa agjencive ndërkombëtare se ka një dakordësi mes dy vendeve për fundin e konfliktit.

Shtypi në Teheran i mohoi raportimet se marrëveshja është finalizuar apo se ndodhet në pritje të miratimit politik nga nivelet më të larta. Më herët, agjenci ndërkombëtare si Reuters, Associated Press dhe Axios pohuan duke cituar burime zyrtare, se një draft-marrëveshje ishte vendosur në tryezën e presidentit amerikan, Donald Trump, për miratim përfundimtar.

Sipas këtyre njoftimeve, marrëveshja do të përfshinte edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike detare në botë për transportin e naftës. Megjithatë, agjencia iraniane Tasnim deklaroi se një tekst përfundimtar i memorandumit të mirëkuptimit ende nuk është konfirmuar.

Duke iu referuar një burimi pranë ekipit negociator iranian, ajo theksoi se procesi vazhdon të mbetet në fazën e diskutimeve dhe nuk është arritur ende në një dokument përfundimtar. Gjithashtu, pala iraniane ka bërë të ditur se opinioni publik do të informohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha detajet dhe të arrihet një version i dakorduar nga të gjitha palët.

Kjo situatë u kthye në treguesin më të fundit të faktit që negociatat mes SHBA-së dhe Iranit mbeten ende të hapura dhe delikate, ndërsa raportimet kontradiktore nga burime të ndryshme vazhdojnë të shtojnë pasigurinë mbi ecurinë reale të bisedimeve.

Top Channel