Erdogan lexon Kuranin në Aja Sofia në ditën e rënies së Kostandinopojës/ Marshime, lutje dhe aktivitete në Turqi

29/05/2026 16:20

Turqia po përkujton sot 573-vjetorin e Rënies së Kostandinopojës nga Perandoria Osmane, me një sërë aktivitetesh dhe ceremonish në të gjithë vendin.

Përvjetori i një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë osmane dhe turke po shënohet këtë vit në të njëjtën periudhë me festën e Kurban Bajramit, duke i dhënë festimeve një simbolikë të veçantë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në lutjet e zhvilluara në Hagia Sophia, ku lexoi edhe fragmente nga Kurani. Pas ceremonisë, ai u ndal para gazetarëve dhe foli për rëndësinë historike të kësaj dite.

“Sot është 29 maji. Patëm mundësinë të luteshim në Shën Sofi dhe pjesëmarrja ishte madhështore. Në këtë ditë, Mehmet Pushtuesi eci drejt Shën Sofisë dhe u lut këtu së bashku me popullin e Kostandinopojës. Kjo është diçka jashtëzakonisht e bukur”, deklaroi Erdogan.

Pas fjalës së tij, presidenti turk përshëndeti përfaqësuesit e medias dhe u ofroi ëmbëlsira tradicionale turke, duke shkëmbyer me ta edhe disa komente të shkurtra.

Një nga aktivitetet kryesore të ditës ishte edhe “Marshimi i Pushtimit”, i zhvilluar në Stamboll. Mijëra qytetarë marshuan nga Sheshi Beyazit drejt Shën Sofisë, duke mbajtur flamuj turq dhe simbole kombëtare. Procesioni u shoqërua nga banda tradicionale ushtarake osmane, duke rikrijuar atmosferën historike të ngjarjes.

Autoritetet lokale deklaruan se dhjetëra mijëra qytetarë morën pjesë në aktivitetet përkujtimore, ndërsa i pranishëm në marshim ishte edhe prefekti i Stambollit, Davut Gül.

Festimet do të vijojnë gjatë gjithë ditës me aktivitete të shumta kulturore dhe fetare. Programi përfshin një ceremoni të madhe në Qendrën e Kongreseve Haliç, në prani të presidentit Erdogan, me temën “Nga Rënia e Kostandinopojës te Pushtimi i Zemrave”.

Gjithashtu janë organizuar procesione me mehterë, koncerte, lexime të Kuranit, ceremoni fetare dhe rikrijime historike në rajone të ndryshme të vendit. Pjesë e programit është edhe një shfaqje ajrore nga skuadroni akrobatik turk SOLOTÜRK mbi zonën Yenikapı.

Përmes këtyre aktiviteteve, autoritetet turke vijojnë ta paraqesin Rënien e Kostandinopojës si një moment kyç të historisë kombëtare, duke ndërthurur elementë historikë, fetarë dhe patriotikë në përkujtimin e kësaj ngjarjeje.

Top Channel