Një dron fluturon pranë zonës së operimit në Aeroportin e Mynihut, pezullohen përkohësisht fluturimet
Shpenzimet e Rusisë për luftën në Ukrainë pritet të tejkalojnë buxhetin e këtij viti me rreth 2 trilionë rubla (28 miliardë dollarë), duke e detyruar Kremlinin të marrë në konsideratë shkurtime të konsiderueshme të shpenzimeve në vitet e ardhshme, sipas një letre të cituar nga Financial Times.
Dokumenti tregon se Ministri i Financave Anton Siluanov i kishte kërkuar qeverisë në shkurt të ngrinte shpenzimet e planifikuara në fusha të tjera në mënyrë që të mbulonte kostot në rritje të luftës.
Ky zhvillim zbulon vështirësitë e konsiderueshme të Moskës në financimin e fushatës së saj ushtarake, pavarësisht faktit se ajo tashmë ka ndarë 16.84 trilionë rubla (238 miliardë dollarë) për mbrojtje dhe siguri, një shumë ekuivalente me pothuajse 40% të buxhetit shtetëror të këtij viti.
Kremlini kishte planifikuar një deficit prej 3.8 trilionë rublash (52.2 miliardë dollarë) për të gjithë vitin 2026. Megjithatë, në katër muajt e parë të vitit, deficiti buxhetor ka arritur tashmë në 5.9 trilionë rubla (83.2 miliardë dollarë), ose 2.5% të PBB-së, duke shënuar performancën më të madhe negative që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, “vrima” prej 2 trilionë rublash (rreth 28 miliardë dollarë) e shkaktuar nga rritja e shpenzimeve të luftës mund të arrijë edhe në 4 trilionë (rreth 55 miliardë dollarë) këtë vit në një skenar të pafavorshëm, i cili do të vazhdojë në vitet 2027 dhe 2028.
Letra propozon një ngrirje të shpenzimeve prej 2.9 trilionë rubla këtë vit, një shumë që mund të rritet në 7.1 trilionë rubla deri në vitin 2028.
Rritja e çmimeve të naftës për shkak të konfliktit të SHBA-së me Iranin rriti përkohësisht të ardhurat ruse, pasi nafta tejkaloi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022. Megjithatë, Financial Times vëren se të ardhurat shtesë vështirë se do të jenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë rritjen e shpenzimeve të luftës.
Siluanov i tha gazetës Kommersant se ministria po rishikon buxhetin duke marrë parasysh ndryshimet në kushtet makroekonomike dhe nevojën për të përqendruar burimet në fushat prioritare. “Rezervat tona nuk janë të pashtershme. Ne nuk mund të lejojmë pika të dobëta në financat tona publike në një kohë të trazirave të tilla të mëdha globale”, tha ai.
Mjedisi ekonomik në Rusi po përkeqësohet ndërsa rriten shpenzimet ushtarake. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka rishikuar parashikimin e saj të rritjes për vitin 2026 duke e ulur në 0.4%, pothuajse n1% më e ulët se vlerësimet e mëparshme. Për vitet 2027 dhe 2028 parashikon rritje prej 1.4% dhe 1.9% përkatësisht, dukshëm më e ulët se parashikimet që bëri shtatorin e kaluar. Sofia Donets, kryeekonomiste në T-Investments, tha se situata nuk është katastrofike, por çështja fiskale tani po dominon diskutimet e politikanëve, bankierëve dhe investitorëve.
Deputeti Renat Suleimanov tha se lufta duhet të përfundojë “sa më shpejt të jetë e mundur” për shkak të ndikimit ekonomik të shpenzimeve të tepërta ushtarake.
“Çfarë zhvillimi dhe çfarë investimesh mund të diskutoni kur 40% e buxhetit federal shkon për mbrojtje dhe siguri? Tanket dhe raketat nuk kanë vlerë për konsumatorin. Ato krijojnë vende pune në industrinë e mbrojtjes, por në të njëjtën kohë rrisin inflacionin dhe kufizojnë shpenzimet dhe investimet sociale”, tha ai.
Ish-zyrtarja e Bankës Qendrore të Rusisë, Alexandra Prokopenko, tha se letra e Siluanov vërteton se Kremlini i jep përparësi absolute luftës.
“Ministria e Financave ka nevojë për para për luftën. Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të shkurtohen shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë, por prokurimet qeveritare, subvencionet për bizneset dhe financimi i organizatave publike”, tha ai.
Top Channel