‘Memorandumi i Mirëkuptimit’ për Bllokadën e Hormuzit, reagon Shtëpia e Bardhë: Fabrikim nga mediat iraniane, nuk është i vërtetë
Ish-prokurorja e përgjithshme amerikane, Pam Bondi, ka bërë të ditur se është diagnostikuar me kancer në tiroide, pak kohë pasi u largua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në muajin prill.
Në një prononcim për CNN, Bondi tha se po i nënshtrohet trajtimit dhe se disa javë më parë kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Ajo deklaroi se është ende në fazën e rikuperimit, por se gjendja e saj shëndetësore është e mirë.
Donald Trump e shkarkoi Bondin nga posti i prokurores së përgjithshme në fillim të prillit, ndërsa aktualisht detyrën e ushtron Todd Blanche.
Bondi pritet të dëshmojë të premten në hetimin e Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein.
Diagnoza e saj u raportua fillimisht nga Axios, i cili bëri të ditur gjithashtu se Bondi do të ketë një rol të ri në Këshillin Presidencial të Këshilltarëve për Shkencën dhe Teknologjinë.
Pas largimit të saj nga detyra, Trump reagoi me një postim në rrjetin social X, ku e cilësoi Bondin si “një patriote të madhe amerikane dhe mike besnike”, duke vlerësuar punën e saj në luftën kundër kriminalitetit.
Megjithatë, sipas mediave amerikane, marrëdhënia mes Trump dhe Bondi ishte tensionuar muajt e fundit për shkak të pakënaqësive të presidentit lidhur me mënyrën se si ajo kishte trajtuar hetimet ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Bondi u përball gjithashtu me kritika për menaxhimin e dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein, çështje që shkaktoi debate të vazhdueshme për administratën amerikane dhe vetë Trumpin, për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me financierin e dënuar për abuzim seksual.
Top Channel