Nga rrugët e varfra të Ekuadorit te milionat me Chelsea-n, historia frymëzuese e mesfushorit të “Bluve”

27/05/2026 11:29

Nga lagjet e varfra të Ekuadorit deri te trofetë me Chelsea-n dhe Botërori i dytë në karrierë. Historia e Moises Caicedos është kthyer në simbol të sakrificës dhe suksesit në futbollin botëror.

Mesfushori 24-vjeçar i Chelsea dikur luante zbathur në rrugët e Santo Domingos në Ekuador, ndërsa sot konsiderohet një nga futbollistët më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez.

Trofeu i parë i Caicedos ishte një kupë plastike e artë, e huazuar nga një fqinj për një turne mes fëmijëve të lagjes “Mujer Trabajadora”.

Sot, ai ka ngritur Kupën e Botës për Klube me Chelsea-n dhe po përgatitet për Botërorin e dytë me Ekuadorin.

Miqtë dhe trajnerët e tij kujtojnë vështirësitë e fëmijërisë, ku Caicedo shiste lule në varreza për të ndihmuar familjen me 10 fëmijë.

Pavarësisht suksesit dhe transferimit rekord prej 115 milionë paundësh nga Brighton te Chelsea në vitin 2023, ai vazhdon të rikthehet në vendlindje për të luajtur futboll me miqtë e vjetër dhe për të mos harruar origjinën.

Në qytetin e tij, fytyra e Caicedos gjendet në murale, bluza dhe madje edhe në mbrojtëset e këmbëve të fëmijëve që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e tij.

Trajnerët e parë thonë se disiplina dhe përulësia janë arma më e fortë e mesfushorit ekuadorian, i cili mbetet një simbol frymëzimi për të rinjtë e zonës së tij.

Top Channel