Milan, revolucion edhe në fushën e lojës, Modric reflekton për të ardhmen, Leao shpreson në një shans të dytë

27/05/2026 13:03

Sezoni i dështuar i Milanit i vendosi të gjithë në bankën e të akuzuarve; që nga drejtuesit që u shkarkuan menjëhere e deri te futbollistët.

Leao dëshiron Milanin. Një prej futbollistëve më të përfolur në të gjithë sezonin është pikërisht Rafael Leao. Për portugezin ky sezon pritej të ishte ai i konfirmimit përfundimtar, por kjo nuk ndodhi pavarësisht 9 golave dhe asisteve të  dhënë. Përkundrazi, ishte ndoshta viti i krisjes përfundimtare të raporteve me botën e Milanit; në ndeshjet e fundit, Leao ka dalë nga fusha i shoqëruar nga fërshëllimat. Një reagim i tifozëve kuqezi që duket se po e shtyn atë larg Milanos. Për momentin ofertat per luzitanin janë nga Arabia e sidomos nga Turqia me Galatasaray dhe Fenerbahçe që po monitorojnë me vëmendje situatën e tij. Por Leao nuk lëkundet; nuk është i bindur nga ofertat e pasura që i kanë ardhur dhe do të donte të qëndronte te Milani për të rifituar zemrat e tifozëve të Milanit. Hapin e parë për riparimin e raportit e bëri përmes postimit të tij në Instagram: ‘Periudhë që më vendosi në provë. Shpresoj që Milan të mund të jetojë sërish momentet e lavdishme dhe te triumfojë në sezonin e ardhshëm’, ndoshta ende së bashku me një staf teknik që ta rivlerësojë. Kjo është shpresa e Leaos.

Modric mendon për tërheqjen. Ai që nuk përfundoi në bankën e të akuzuarve, por që gjithsesi është në dyshim për të qëndrimin e tij te Milani është Luka Modric. Moskualifikimi në Ligën e Kampioneve dhe tërmeti te klubi kuqezi kanë minuar siguritë e yllit kroat të futbollit. Ish fituesi i Topit të Artë do të donte edhe një vallëzim të fundit me fanelën e Milanit përkrah Allegrit dhe të ngjitej në skenën evropiane, kur ndërtoi legjendën e tij me trofetë e fituar me Realin e Madridit. Por ajo çfarë ndodhi  me Milanin ia prishi planet. Tani Luka Modric është totalisht i fokusuar te Botërori me Kroacinë, më pas do të marrë një vendim për të ardhmen dhe tërheqja nga futbolli është një opsion konkret. Ndoshta mund të qëndrojë në  botën e futbollit, por në një rol drejtues. Te Reali i Madridit po lind një projekt i ri ndoshta me Jose Mourinho dhe një legjendë e Los Blancos e kalibrit të kroatit është gjithnjë i mirëpritur në Bernabeu.

Top Channel