Ish-anëtare e organizatës terroriste RAF/ Dënohet me 13 vite burg 67-vjeçarja në Gjermani, autore e një sërë grabitjesh me vlerë 2.7 mln euro

27/05/2026 16:13

Gjykata rajonale në Verden të Gjermanisë dënoi sot 67-vjeçaren Daniela Klette, ish-anëtaren e organizatës terroriste RAF, me 13 vite burg, pasi e shpalli fajtore për gjashtë grabitje të rënda, një tentativë grabitjeje, shkelje të ligjit për armët, rrëmbim dhe zhvatje.

Sipas aktakuzës, Klette, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Burkhard Garweg dhe Ernst-Volker Staub, grabitën automjete të transportit të parave dhe supermarkete në rajonet e Saksonisë së Poshtme dhe Nordrhein-Westfalen mes viteve 1999 dhe 2016, duke përfituar mbi 2.7 milionë euro.

Ndërkohë dy bashkëpunëtorët e saj vijojnë të jenë në arrati.

Sipas transmetuesit publik NDR, në sallën e gjyqit pati tensione menjëherë pas shpalljes së vendimit, pasi mbështetësit e Klette reaguan me protesta dhe refuzuan të largoheshin nga salla.

Daniela Klette u arrestua në Berlin në vitin 2024, pasi dyshohet se kishte jetuar e fshehur për më shumë se tre dekada. Në apartamentin e saj, autoritetet zbuluan para cash, ar dhe armë. Gjyqi ndaj saj nisi në mars të vitit 2025.

Top Channel