Festa e Kurban Bajramit, besimtarët në Gjirokastër falin namazin: Paqe, bagëti dhe shumë mirëkuptim mes njerëzve
Edhe në Bulqizë, besimtarët myslimanë kanë kremtuar mëngjesin e sotëm festën e Kurban Bajrami me faljen e Bajramit, e cila u zhvillua në sheshin përpara xhamisë së qytetit.
Qindra besimtarë, të rinj e të moshuar, u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për të kryer ritin e faljes dhe për të ndarë urimet në këtë ditë të shenjtë, që simbolizon sakrificën, paqen dhe solidaritetin njerëzor.
Atmosfera në shesh ishte e mbushur me emocione, lutje dhe mesazhe shprese. Besimtarët, u bashkuan në lutje duke përcjellë mesazhe harmonie, mirëkuptimi dhe dashurie për njëri-tjetrin. Pas faljes, shumë prej tyre shkëmbyen urime.
Myftiu i Bulqizë, Sejdin Strazimiri, gjatë fjalës së tij përcolli mesazhe të forta për faljen, pajtimin dhe bashkimin mes njerëzve. Ai theksoi se kjo ditë është një moment reflektimi për të lënë pas mëritë dhe konfliktet.
“Sot është dita kur duhet të lëmë mërinë, të largojmë hidhërimet dhe të shtrijmë dorën e pajtimit. Kush fal dhe pajton, atij i takon shpëtimi”, u shpreh myftiu gjatë ligjëratës së tij para besimtarëve.
Në mesazhin e tij, ai ndaloi edhe tek nevoja për më shumë përgjegjësi dhe besim në ndërtimin e së ardhmes së vendit. Sipas tij, ashtu siç besimtarët kanë besim te Zoti, po me të njëjtin përkushtim duhet të kontribuojnë edhe për përmirësimin e shoqërisë dhe vendit.
“Ashtu siç besojmë në Zot, ashtu mund ta rregullojmë edhe vendin tonë dhe jo ta shkatërrojmë atë”, theksoi Sejdin Strazimiri, duke bërë thirrje për më shumë unitet, mirësi dhe përgjegjësi qytetare.
Top Channel