Tre shtetas izraelitë janë sulmuar me një objekt të mprehtë në qendër të Nikosisë, në një incident që ka ngritur shqetësime për motive të mundshme raciste dhe antisemitike.

Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi gjatë ditës së djeshme në kryeqytetin e Qipros, ku një prej të sulmuarve mbeti i plagosur në vesh dhe mori ndihmë mjekësore pas sulmit.

Menjëherë pas incidentit, policia nisi kërkimet për autorët dhe më vonë arrestoi dy persona të dyshuar, të identifikuar si burra me origjinë siriane. Ata janë shoqëruar në Drejtorinë e Hetimeve Penale në Nikosia, ku po merren në pyetje nga autoritetet.

Hetuesit po përpiqen të zbardhin rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojnë se si nisi konflikti, ndërsa po hetohet edhe mundësia që sulmi të ketë pasur motive raciste.

Lidhur me incidentin reagoi edhe ambasadori izraelit në Qipro, Oren Anolik, i cili e dënoi ashpër sulmin.

“Jam thellësisht i tronditur nga sulmi i dhunshëm ndaj qytetarëve izraelitë në Nikosia, të cilët u vunë në shënjestër vetëm për shkak të identitetit të tyre të dukshëm hebre”, shkroi ai në platformën X.

Diplomati izraelit shtoi se “një dhunë e tillë antisemite nuk ka vend në Qipro”, ndërsa autoritetet qipriote vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Top Channel