Polemika në Kukës për reformën Administrativo-Territoriale/ Mazniku: Ka qenë decentralizuese. Boçi: 30 për qind e popullsisë së qytetit është larguar

26/05/2026 22:49

Komisioni i Reformës Territoriale zhvilloi këtë të martë, më 26 maj, dëgjesën e radhës me qytetarët në Kukës.

Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, u shpreh se “ka ardhur momenti për të rishikuar reformën territoriale të vitit 2014”.

“Para pothuajse 12 vitesh, në 2014-2015, u realizua një reformë që e çoi vendin nga 373 komuna e njësi vendore në 61 bashki. Këto bashki kanë arritur të mbledhin më shumë të ardhura dhe të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët. Ka qenë një reformë decentralizuese, pasi shumë funksione që kryheshin nga qeveria qendrore iu deleguan pushtetit vendor”, tha ai.

Megjithatë, ndryshe nga sa deklaroi Mazniku, bashkëkryetari i opozitës, Luçiano Boçi, e konsideroi reformën territoriale të vitit 2014 një dështim.

Sipas tij, shembulli më konkret i këtij dështimi është vetë qarku i Kukësit, ku braktisja, shpopullimi dhe mungesa e investimeve kanë larguar qytetarët nga shërbimet e pushtetit vendor.

Boçi theksoi gjithashtu se mbi 30 për qind e popullsisë së Kukësit është larguar pas zbatimit të reformës territoriale të vitit 2014.

“Shembulli më konkret i këtij dështimi është vetë qarku i Kukësit, ku braktisja, shpopullimi dhe mungesa e investimeve kanë larguar qytetarët nga shërbimet e pushtetit vendor. Mbi 30 për qind e popullsisë së Kukësit është larguar pas zbatimit të reformës territoriale të vitit 2014″.

Edhe banorët e pranishëm në dëgjesë shprehën hapur qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të mëtejshëm të hartës territoriale në këtë qark.

Ata u shprehën se Kukësi disponon pasuri të mëdha nëntokësore, ujore dhe turistike, por sipas tyre këto pasuri nuk po reflektohen në të ardhurat dhe investimet për pushtetin vendor.

Aktualisht, qarku i Kukësit përbëhet nga tre bashki: Bashkia Kukës, si qendër e qarkut, si dhe bashkitë Has dhe Tropojë.

Top Channel