LIVE/ Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Shqipëria nis mbylljen e kapitujve për anëtarësimin në BE. Rama: Kemi thyer rekord. Kos: Përdoreni energjinë pozitive
Gjermania propozoi pak ditë më parë zgjidhje inovative për vendet kandidate për në Bashkimin Europian që vijnë nga Ballkani Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Në letrën drejtuar Bashkimit Europian, Kancelari Merz foli për përshpejtimin e procesit të vendeve candidate, ndërkohë që propozoi krijimin e një statusi të ri për Ukrainën në Bashkimin Evropian, si një hap të ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë në bllok.
Sipas një letre drejtuar liderëve të BE-së, Merz sugjeron që Ukrainës t’i jepet statusi i “anëtarit të asociuar”, i cili do t’u lejonte përfaqësuesve ukrainas të merrnin pjesë në samitet dhe takimet ministrore të BE-së, por pa të drejtë vote.
Përmbajtja e kësaj letre nuk u la pa u komentuar edhe në konferencën për shtyp në Bruksel mes kryeministrit Rama, komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos dhe zv.ministres së Jashtme të Qipros.
Rama e përkufizoi Shqipërinë si vendin më “taleban të BE-së” dhe garantoi që Tirana zyrtare nuk do t’I hedhë sytë askund përveç Brukselit.
Por kreu i qeverisë shqiptare, duke pasur në mendje Moldavinë, dha një mesazh politik: vendet candidate nuk duhet të ndahen në rrugën e negociatave për në BE.
“Ne presim që të zhvillojmë samitin BE- Ballkani Perëndimor dhe presim ta bëjmë këtë diskutim. Kam shansin dhe nderin të ulem përkrah Kancelarit dhe ekipeve tona dhe sigurisht do ta diskutojmë këtë. Mendoj që duhet ta shohim gjerësisht, pa nevojën për të provokuar ndokënd, kandidatët nuk duhet të ndahen. Po Moldavia? Kjo e fundit i ka mbijetuar dy agresioneve ruse në dy situata shumë të vështira. Maja Sandu i ka drejtuar me shumë guxim dhe vullnet mjaft të fortë europian, duke u premtuar BE-në. Rusët i thonë se Europa nuk do ia hapë dyert, ejani me ne. Është një bast tejet i madh që të pritet për zgjedhjet e treta pa çelur procesin e anëtarësimit për Moldavinë. Shqipëria është vendi më pro-europian në Shqipëri. Ne nuk do të lëkundemi, jemi talebanët e BE, ne nuk do t’i hedhim sytë askund”, u shpreh Rama.
Me nota pozitive letrën e komentoi edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
“Nëse nuk do të mund të integrojmë fqinjësinë, dikush tjetër mund t’i përdorë kundër nesh. Prandaj e shoh frytdhënëse letrën e kancelarit. Çdo diskutim nga shtetet anëtare është e mirëpritur”, u shpreh Kos.
Ndërsa zv.ministrja e Qipros, vendi i të cilës mban Presidencën e radhës së BE-së, u shpreh:
“Presidenti Tulidhis ka marrë letrën e kancelarit Merz dhe kjo letër është dëshmi e faktit se për shkak të këtij momenti kulmor për zgjerimin, ka interes të vendeve për zgjerimin. Idetë e shprehura në këtë letër ende nuk janë diskutuar nga shtet anëtarë, por janë pjesë e reflektimeve të përgjithshme sesi të çohet përpara axhenda e zgjerimit. Para nesh kemi faktin se zgjerimi është përparësi absolute, kemi metodologjinë për ta çuar para këtë proces. Kërkohet unanimitet dhe është e rëndësishme që partnerët e zgjerimit të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha ajo.
Top Channel