61 mln euro pasuri të sekuestruara, asetet e konfiskuara po kthehen në qendra sociale dhe hapësira për komunitetin

25/05/2026 15:36

Mbi 61 milionë euro pasuri të sekuestruara vetëm gjatë vitit 2025 dhe dhjetëra asete janë vendosur tashmë në funksion të komunitetit.

Nga godina dhe ambiente që dikur simbolizonin aktivitet kriminal, sot po krijohen qendra komunitare, hapësira për fëmijë, art dhe shërbime sociale.

Ky ishte mesazhi kryesor i konferencës “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, organizuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Për të ngarkuarin me punë të Bashkimit Europian në Shqipëri, Andre Rizzo, konfiskimi i aseteve kriminale mbetet një kusht i rëndësishëm për integrimin europian të vendit dhe se lufta ndaj krimit duhet të fokusohet tek pasuria.

Një nga mesazhet më të qarta është që krimi nuk paguan. Ja pse përdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale është i dobishëm, sepse kthen pasurinë e paligjshme në vlerë publike. Duam të sigurojmë që këto burime të përdoren efektivisht në ndihmë të grupeve në nevojë”, tha Andre Rizzo.

Për Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, sfida nuk përfundon me sekuestrimin e pasurive, por me mënyrën se si ato rikthehen në shërbim të publikut.

“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë”, tha Besfort Lamallari.

Ndërkohë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara bëri të ditur se gjatë vitit 2025 është tejkaluar objektivi që mbi 50 për qind e pasurive të konfiskuara të përdoren për institucionet ligjzbatuese dhe komunitetin.

Top Channel