Real Madridi e mbylli sezonin e La Ligës 2025–2026 me një mbrëmje të mbushur me emocione, gola dhe lot.

Stadiumi “Santiago Bernabéu” përcolli dy legjenda të vërteta: kapitenin Dani Carvajal dhe mbrojtësin David Alaba. Të dy kanë qenë figura qendrore të një prej epokave më të suksesshme në historinë e klubit, duke fituar respektivisht 27 dhe 11 trofe.

Ndeshja: Real Madrid 4–2 Athletic Club

Paraqitja e fundit e Carvajal-it nuk mund të niste më mirë: veterani dha një pasim të shkëlqyer për Gonzalo Garcían, i cili hapi rezultatin që në minutën e 11-të. Pak para pushimit të pjesëve, Jude Bellingham dyfishoi shifrat me një goditje të fuqishme “volej”, pas asistit nga Thiago Pitarch. Athletic Club ngushtoi diferencën në fund të pjesës së parë, por Kylian Mbappé riktheu avantazhin prej dy golash në pjesën e dytë, duke festuar së bashku me trajnerin largues, Álvaro Arbeloa. Në minutën e 88-të, Brahim Díaz shënoi golin e katërt dhe ia dedikoi menjëherë Carvajal-it. Në kohën shtesë, baskët shënuan golin e dytë, duke vulosur rezultatin final në 4–2.

Lamtumira që përloti Madridin

Në minutën e 70-të erdhi lamtumira e parë: Alaba u zëvendësua dhe stadiumi shpërtheu në duartrokitje të gjata. Tifozët imituan festimin e tij ikonik me stol në duar, që mbetet simbol i rrugëtimit drejt titullit të 14-të evropian. Më pas erdhi radha e kapitenit. Ndeshja u ndërpre në minutën e 82-të, kur lojtarët e të dyja ekipeve, Real Madrid dhe Athletic Club, formuan një “korridor nderi” për Carvajal-in, ndërsa të gjitha tribunat u ngritën në këmbë.

Pas vërshëllimës përfundimtare, Carvajal iu drejtua tifozëve me zërin që i dridhej: “Mirëmbëma, madridistë. Nuk është një moment i lehtë për mua. Dua të falënderoj presidentin tonë, zotin Florentino Pérez. Ishte ai që më riktheu në shtëpi nga Gjermania. Kemi fituar shumë Champions së bashku. Dje, sot dhe përgjithmonë: Hala Madrid!”

Dy legjenda, fundi i një epoke

Carvajal, 34 vjeç, largohet si një nga lojtarët më të titulluar në historinë e futbollit botëror, me 27 trofe dhe një rekord absolut prej 6 Ligash të Kampionëve. Ndeshja e tij e 451-të dhe e fundit me fanellën bardhë mbyll zyrtarisht një kapitull të artë. Nga ana tjetër, Alaba largohet si mbrojtësi austriak që la gjurmë të pashlyeshme, ndonëse karriera e tij te Reali u kushtëzua ndjeshëm nga lëndimet e rënda në vitet e fundit.

Largimi i të dy futbollistëve shënon edhe fillimin e një rindërtimi të madh në radhët e Real Madridit. Ndryshimi i parë i madh në stol do të jetë zëvendësimi i trajnerit Arbeloa nga José Mourinho, i cili pritet të rikthehet te “Los Blancos” pas 13 vitesh. “Bernabéu” nuk harron. Një epokë u mbyll, por emrat e Dani Carvajal dhe David Alaba do të mbeten të gdhendur përgjithmonë në historinë e futbollit.

Top Channel