“Dy vite të shkëlqyera, por këtu kishte shumë helm”/ Conte njofton largimin nga Napoli: Italia? Edhe Guardiola është ideal për atë post

24/05/2026 21:35

Antonio Conte ka njoftuar zyrtarisht largimin e tij nga Napoli, duke mbyllur aventurën dyvjeçare në stolin e skuadrës napolitane.

Pas fitores 1-0 ndaj Udinese dhe përshëndetjes emocionuese me tifozët në stadiumin “Diego Armando Maradona”, Conte doli në një konferencë të përbashkët me presidentin e klubit, Aurelio De Laurentiis, ku konfirmoi ndarjen.

“Një muaj më parë telefonova presidentin dhe nuk kërkova asgjë. As projekt, as merkato. Thjesht ndjeva se koha ime këtu po mbaronte”, deklaroi Conte.

Trajneri italian theksoi se vendimi i tij nuk lidhej me aspektet financiare apo sportive, por me ndjesinë personale se nuk mund të ndryshonte më situatën në klub.

Nga ana tjetër, De Laurentiis pranoi se kishte tentuar ta bindte të qëndronte, por pranoi se Napoli nuk mund të konkurrojë financiarisht me klube si Real Madrid, Barcelona apo Bayern Munich.

Konferenca u shoqërua edhe me disa debate mes presidentit dhe trajnerit. De Laurentiis deklaroi se Napoli mund të kishte fituar titullin nëse skuadra nuk do të ishte goditur nga dëmtimet, ndërsa Conte nuk ishte dakord, duke theksuar forcën e Interit në garën për titull.

Conte foli hapur edhe për atmosferën përreth skuadrës, duke kritikuar përçarjet dhe sulmet ndaj tij dhe lojtarëve.

“Në Napoli dështova në përpjekjen për të bashkuar ambientin. Pashë shumë helm dhe përçarje kundër meje dhe lojtarëve të mi”, tha ai.

Megjithatë, trajneri kujtoi me krenari sukseset e arritura gjatë qëndrimit në Napoli, duke përmendur fitimin e Scudettos dhe faktin që skuadra përfundoi përpara Milanit dhe Juventusit në të dy sezonet.

Conte komentoi edhe të ardhmen e tij, duke mos përjashtuar mundësinë e drejtimit të kombëtares italiane, ndërsa përmendi edhe emrin e Pep Guardiola si një profil ideal për Italinë, por shtoi se një trajner i tillë kërkon investime të mëdha dhe strukturë të fortë federative.

 

Top Channel