Ronaldo dhe Guardiola bashkë? Zbulohet oferta e çmendur e Al-Nassr, 150 milionë dollarë për trajnerin spanjoll
Fjalët e trajnerit të Milanit në prag të ndeshjes në San Siro që vlen një vend në kompeticionin më të rëndësishëm evropian.
“Ritmi i vitit 2026 ka qenë tragjik. Në fushën tonë, në tre ndeshjet e fundit kemi marrë vetëm një pikë. Këto janë shifrat. Nesër është ndeshja e fundit e sezonit dhe sot është konferenca ime e fundit për shtyp. Ju falënderoj që më keni toleruar — edhe kemi qeshur së bashku, gjë që është ndër gjërat më të rëndësishme. Nesër objektivi është i arritshëm, duhet ta rrëmbejmë. Përndryshe, mbrëmja e nesërme nuk do të jetë e bukur.
Do ta përballim Cagliari-n me respekt të madh. Ata kanë një trajner të ri, Pisacane-n, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer. Kanë zhvilluar një sezon të mirë dhe jam i lumtur për këtë, pasi jam shumë i lidhur me Cagliari-n. Nesër duhet të bëjmë një ndeshje serioze: me një rezultat pozitiv kemi mundësinë të kualifikohemi në Champions League.”
Presioni i momentit dhe e ardhmja e stolit
“Sa i përket të ardhmes sime, besoj se e ardhmja është nesër — ajo është ndeshja më e rëndësishme për të gjithë. Për të gjithë ata që punojnë brenda Milanellos, në Casa Milan dhe për tifozët. Nesër stadiumi do të jetë plot; një fitore do të ishte falënderimi më i mirë për ata që na kanë qëndruar pranë gjatë gjithë vitit, edhe në momentet më të vështira. Do të jenë 100 minuta të vështira dhe me shumë presion, por duhet të ruajmë qetësinë.
Sa i përket grupit, të gjithë lojtarët janë mirë dhe i kemi në dispozicion. Do të jetë nevoja për secilin prej tyre — ka shumë mundësi që ndeshja të vendoset në pjesën e dytë. Cagliari ka pësuar gola kryesisht nga minuta e 50-të e tutje, por janë skuadër e fortë. Kemi vetëm një rrezik: qëndrimin sipërfaqësor. Pas ndeshjes me Genoan kaluam një javë shumë intensive dhe me tensione. Gabimi që nuk duhet të bëjmë nesër është ta vlerësojmë ndeshjen me më pak vëmendje. Përqendrimi do të jetë thelbësor. Tani, me rrjetet sociale, të gjithë flasin e diskutojnë. Ne duhet të qëndrojmë të fokusuar te objektivi final dhe t’i kthejmë kritikat në favorin tonë.”
Roli i klubit dhe dinamikat e drejtimit
“Dua të them një gjë që është më e rëndësishmja: ajo që duhet të udhëheqë gjithçka është gjithmonë shoqëria. Një klub i fortë bën që të gjithë të punojnë më mirë në varësi të tij dhe kështu rezultatet arrihen më lehtë. Baza e sukseseve varet nga soliditeti i klubit. Pronësia i ka qëndruar gjithmonë pranë ekipit, e sidomos në periudhën e fundit ka kuptuar rëndësinë e momentit dhe ka qenë edhe më afër nesh, gjë që na gëzon. Nesër shpresojmë të fitojmë dhe ta sigurojmë këtë kualifikim.
Galliani? Këto janë dinamika që i përkasin klubit. Unë duhet të mendoj vetëm për rolin e trajnerit, gjë që nuk është e lehtë. Për lëvizjet administrative mendon pronësia, e cila di se çfarë është më e mira për Milanin.
Për sa i përket formacionit, do të vendos nesër në mëngjes. E rëndësishme është që skuadra është e plotë. Cagliari mund të na hapë punë, ndaj duhet të qëndrojmë të organizuar për 100 minuta. Fjalët e bukura të Modrić-it? Më gëzuan shumë, sidomos kur vijnë nga ai. Luka është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që kanë punuar me të. Sa për grumbullimin në Milanello, ishin vetë lojtarët që kërkuan të qëndronin të izoluar aty. Ky është një akt i lartë përgjegjësie prej tyre për të treguar se e kuptojnë rëndësinë e sfidës. Nëse kam kërkuar unë ndonjëherë grumbullime të tilla në të kaluarën? Po flasim për dyzet vite më parë, kush mban mend…”
Vlerësimi i sezonit dhe thashethemet e merkatos
“Nëse nesër mbrëma arrijmë të kualifikohemi në Champions League, merita do të jetë tërësisht e djemve. Pozicioni që do të mbajmë në fund do të jetë ai që kemi merituar. Renditja e kampionatit pasqyron gjithmonë vlerën reale.
Tare? Po e përsëris — nuk më takon mua të flas për ndryshimet në strukturat e klubit. Në këtë moment, 30 orë përpara ndeshjes më të rëndësishme të vitit, të flitet për Allegrin, Taren apo Marcon, nuk shërben për asgjë. Duhet vetëm përqendrim te fusha. Të hënën, kur të qetësohen gjërat, do t’i vlerësojmë të gjitha.
Në sulm kemi katër lojtarë që janë në gjendje të mirë. Sa i përket golave, Loftus-Cheek dhe Fofana mund të kishin bërë më shumë këtë vit. I kanë të gjitha cilësitë që në të ardhmen të kenë një mesatare më të lartë realizimi. Ruben u penalizua edhe nga dëmtimet. Një gjë është të bësh një sezon të mirë, dhe një gjë tjetër është të bësh një sezon shumë të mirë — gjithçka do të varet nga rezultati i nesërm.”
Pasioni i pronarëve dhe gjendja e yjeve: Leão dhe Pulišić
“Gjëja më e rëndësishme është ta bësh këtë profesion me pasion dhe dashuri. Kam pasur fatin të punoj me presidentë si Cellino, Berlusconi dhe Agnelli. Nuk është e vërtetë që pronësitë e reja janë të ftohta apo kanë më pak pasion. Angazhimi i Cardinale-s, të cilin e tregoi edhe duke ardhur në Genova, është shumë i madh. Milani ka historinë dhe ADN-në e tij që duhen respektuar. Kur punon me pasion dhe profesionalizëm maksimal, nuk mund të fajësosh askënd. Unë nuk jam shpëtimtari i askujt; di vetëm që kam një grup të jashtëzakonshëm djemsh që nesër, së bashku me tifozët, duhet të arrijnë objektivin e sezonit.
Nëse Leão dhe Pulišić mund të japin ende më shumë? Besoj se po, janë dy lojtarë me teknikë të lartë. Këtë vit u kushtëzuan nga dëmtimet. Leão pati probleme fillimisht me muskulin e pulpës dhe më pas me pubisin. Nesër kemi 100 minuta përpara dhe të gjithë janë gati për të bërë një ndeshje të madhe.”
Ngacmimet e Marottas për “Yllin e Dytë”
“Nuk është çështje individësh, por çështje rezultati. Allegri nuk kërkon asgjë, unë kam një kontratë me Milanin dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Rezultati i nesërm do të ndryshojë perceptimin e sezonit: nëse shkojmë në Champions do të jetë një sezon i shkëlqyer, nëse përfundojmë në Europa League, atëherë kemi dështuar.
Fjalët e Marottas për yllin e dytë? Unë nuk e humbas anën romantike të futbollit. Fjalët e presidentit Marotta, të cilin e përgëzoj për sezonin, duhet të shërbejnë si një nxitje për të gjithë mjedisin e Milanit. Milani është gjithashtu një hap larg yllit të dytë në fanellë. Hapi i parë është ta mbyllim sa më mirë këtë kampionat, dhe pastaj ta nisim tjetrin me ambicie akoma më të mëdha. Edhe kur e nisëm këtë vit, synimi ishte maksimumi. Nëse tani jemi të tretët, do të thotë se nuk kemi qenë në lartësinë e duhur për të luftuar për Scudetto-n.”
Top Channel