Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi paraqitet në Gjykatën e Posaçme
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se gara për projektin e Porto Romanos nuk rezultoi e suksesshme, pasi edhe ofertuesi i fundit nuk paraqiti një ofertë financiare, duke argumentuar rritjen e kostove.
Sipas Karakaçit, Porto Romano mbetet një nyje strategjike për lëvizjen e mallrave dhe për mbrojtjen, pasi është pjesë e Korridorit 8.
“Porto Romano është nyjë strategjike për lëvizjen e mallrave, por edhe për mbrojtjen, pasi është pjesë e Korridorit 8. Jemi në bisedime dhe do të përpiqemi t’i japim një zgjidhje sa më të shpejtë”, u shpreh ministri.
Karakaçi u ndal edhe te projekti “Porta e Alpeve”, të cilin e cilësoi si një vendim të rëndësishëm për zhvillimin e veriut të vendit, veçanërisht qarqeve të Shkodrës dhe Lezhës.
“Më duhet të riktheksoj vendimin e rëndësishëm të Parlamentit për Porta e Alpeve, që është e dedikuar për qarkun e Shkodrës dhe Lezhës. Kjo nënkupton vëmendjen që qeveria ka për veriun, veçanërisht Shkodrën. Janë investime që ndërlidhin pikat turistike”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, një nga projektet kryesore infrastrukturore në veri mbetet rruga Milot-Balldren, për të cilën tha se ka kaluar në disa peripeci dhe nuk ka ecur me ritmin e duhur.
“Jemi në fazën e vlerësimit të ofertave dhe në fund të majit ose në fillim të qershorit do të shpallim fituesin. Kjo rrugë do të bëhet e klasit A dhe do të ketë edhe rrugë alternative”, tha Karakaçi.
Ministri foli edhe për situatën e trafikut në aksin Tiranë-Durrës, ku sipas tij janë ndërmarrë masa për lehtësimin e qarkullimit, veçanërisht në zonën e Rinasit.
“Hapëm korsitë në drejtim të Rinasit, 6 kilometrat e parë. E di që hinka krijohet sërish, por ka një ndryshim në trafik. Kishim problem te një mbikalim, që u rregullua dhe liroi korsinë shtesë, duke zhbllokuar trafikun”, tha ai.
Karakaçi shtoi se aktualisht po punohet edhe për ndërhyrje të tjera në mbikalimin e Rinasit, i cili do të shembet dhe do të rindërtohet me dy korsi dhe me korsi shtesë për të përmirësuar qarkullimin.
“Për momentin ajo rrugë do të vijojë të jetë pa pagesë”, përfundoi ministri.
Sa i përket kërkesave të Shoqatës së Transportit, Karakaçi kujtoi se qeveria ka miratuar subvencionimin me 50 lekë për litër karburant, ndërsa theksoi se do të vijojnë diskutimet për masa të tjera mbështetëse në varësi të luhatjeve të çmimeve në bursë.
“Unë para 2-3 javësh njoftova subvencionimin me 50 lekë për litër. Ne u angazhuam të kishim masa mbështetëse, të cilat u miratuan dhe pavarësisht kohës së miratimit, aplikimi do të niste nga muaji mars”, tha ai.
Ministri shtoi se do të zhvillohen sërish takime me Shoqatën e Transportit për të vlerësuar situatën në tregjet ndërkombëtare dhe ndikimin te çmimet e karburanteve.
“Tani do të ulemi sërish me Shoqatën e Transportit, do të shohim çfarë ndodh me bursat, sepse ka një relaksim të çmimeve. Nëse do të jetë e nevojshme, do t’i gjendemi pranë Shoqatës së Transportit për të marrë masat e nevojshme”, përfundoi Karakaçi.
Top Channel