Nuk iu gjet vena/ Ekzekutimi me vdekje i të burgosurit në Tenesi shtyhet në minutën e fundit, ai “fitoi” një vit jetë

22/05/2026 08:27

Ekzekutimi i të burgosurit Tony Carruthers në shtetin amerikan Tenesi u shty të enjten, pasi stafi mjekësor nuk arriti të gjente një venë për injeksionin vdekjeprurës, kanë bërë të ditur autoritetet.

Sipas Departamentit të Tenesit, procedurat fillestare u kryen sipas planit, por nuk u arrit vendosja e linjës rezervë siç kërkohet me ligj. Si rezultat, ekzekutimi u anulua dhe guvernatori Bill Lee i dha të dënuarit një shtyrje njëvjeçare.

Carruthers, i cili ka kaluar mbi 30 vite në burg, është shpallur fajtor për vrasjet e tre personave në vitin 1994, por ai ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se është i pafajshëm.

Avokatja e tij dhe organizatat kundër dënimit me vdekje e kanë cilësuar incidentin si shqetësues dhe kanë kritikuar përdorimin e injeksionit vdekjeprurës, duke kërkuar më shumë transparencë nga autoritetet.

Ndërkohë, në shtetin e Florida u krye një tjetër ekzekutim, ku Richard Knight u dënua me vdekje për vrasjen e një gruaje dhe vajzës së saj në vitin 2000.

Sipas të dhënave zyrtare, ky është një nga 14 ekzekutimet e kryera në SHBA këtë vit, me Florida-n që kryeson numrin e rasteve. Dënimi me vdekje vazhdon të jetë i aplikuar në disa shtete amerikane, kryesisht përmes injeksionit vdekjeprurës, ndonëse disa metoda të tjera mbeten ende në përdorim në disa raste.

Top Channel