“Irani po vendos kontroll në Hormuz”, paralajmërimi i Windward për pasojat e bllokimit të kalimit dhe vendosjes së tarifa

22/05/2026 12:42

Irani po çimenton kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit edhe më shumë se përpara paralajmëron Windward.

Kompania për informacione detare pohon se Republika Islamike nuk po mjaftohet me kontrollin de facto që ka vendosur mbi këtë rrugë të rëndësishme ujore që nga fillimi i konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, por është duke e thelluar këtë kontroll në mënyrë sistematike dhe po e shndërron ngushticën nga një korridor tranziti në një regjim lejesh dhe tarifash të administruar plotësisht nga shteti.

Një zhvillim i tillë ka rëndësi të madhe pikërisht për faktin që Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet më kritike të furnizimit global me naftë dhe gaz, dhe çdo ndryshim në kontrollin e saj ka pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë botërore. Hapi konkret që nxiti alarmin e Windward është krijimi i Autoritetit të Ngushticës së Gjirit Persik të Iranit, një organizëm i ri shtetëror që filloi zyrtarisht funksionimin më 18 maj dhe që është i ngarkuar me verifikimin e anijeve dhe vendosjen e tarifave ndaj tyre.

Dy ditë më vonë, ky autoritet publikoi në platformën X një hartë ku përcaktoi zonën e kontrollit detar iranian, duke kërkuar që çdo anije që synon të kalojë nëpër ngushticë të marrë autorizim paraprak dhe të paguajë një tarifë prej rreth 2 milionë dollarësh për anije, e pagueshme në juan kinez ose kriptovalutë.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike deklaroi se brenda 24 orëve ne 20 maj ka koordinuar transitin e 26 anijeve nëpër ngushticë, shifër kjo të cilën Windward e konfirmon pjesërisht, duke raportuar kalimin e tre transportuesve shumë të mëdhenj të naftës bruto atë ditë, dy prej të cilëve ishin të lidhur me Kinën.

Top Channel