E rëndë në Ohajo, 22 vjet burg për gruan amerikane që i detyroi 5 të dashuruarit e saj të torturonin të gjashtin që nuk e pëlqente

22/05/2026 07:51

Një ngjarje tronditëse dhune dhe torturash ka përfunduar me një dënim të rëndë në Ohajo, ku 29-vjeçarja Martina Esqueda u dënua me 22 vite burg pasi u shpall fajtore për organizimin e rrëmbimit dhe rrahjes brutale të partnerit të saj, Austin McClellan.

Vendimi u dha nga një juri në Qarkun Lucas, ndërsa autoritetet thanë se Esqueda ishte organizatorja kryesore e sulmit që ndodhi në një hotel në zonën e Maumee. Sipas hetimeve, viktima u mbajt kundër vullnetit të tij për 10 ditë në një dhomë hoteli, ku u dhunua vazhdimisht me grushte dhe shkopinj bejsbolli.

Policia deklaroi se 29-vjeçarja jetonte me bashkëshortin e saj, Michael Esqueda, dhe disa burra të tjerë me të cilët kishte marrëdhënie romantike, përfshirë edhe viktimën. Hetuesit pretendojnë se ajo jepte urdhra të drejtpërdrejtë për torturimin e McClellan.

Gjykata e dënoi Esquedën me tetë vite burg për rrëmbim të shkallës së parë dhe dy dënime të tjera nga shtatë vite secili për sulm të rëndë, të cilat do të vuajë njëra pas tjetrës. Bashkëshorti i saj u dënua me 16 vite burg, ndërsa personat e tjerë të përfshirë morën dënime më të lehta.

Sipas dëshmisë së viktimës, gjithçka nisi pas një konflikti për shkak të një sherri mes qenve në shtëpinë ku jetonin bashkë. Gjatë përpjekjes për t’i ndarë kafshët, Esqueda pësoi një dëmtim në krah, për të cilin fajësoi McClellan. Hetuesit thanë se ky pretendim ishte i rremë dhe u përdor si justifikim për hakmarrjen brutale ndaj tij.

Gjatë 10 ditëve të torturës, viktima u privua nga ushqimi dhe gjumi, ndërsa pësoi fraktura dhe plagë të shumta në trup. Ai arriti të shpëtonte më 21 mars 2025, kur autorët e lejuan të shkonte në një dyqan ushqimor aty pranë. Atje, ai kontaktoi një person të afërt, i cili njoftoi familjen dhe policinë.

Forcat e rendit ndërhynë menjëherë dhe arrestuan të dyshuarit para se të largoheshin nga hoteli. McClellan u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

Në një letër të lexuar në sallën e gjyqit, viktima tha se vazhdon të vuajë nga ankthe dhe trauma psikologjike.

“Asgjë nga kjo nuk do të kishte ndodhur pa ty. Ti ishe truri pas çdo gjëje të tmerrshme që më ndodhi”, shkruante ai drejtuar Esquedës.

Nga ana tjetër, mbrojtja e 29-vjeçares argumentoi se ajo kishte kaluar një fëmijëri të vështirë dhe ishte abuzuar seksualisht në moshë të vogël, faktorë që sipas avokatit ndikuan në gjendjen e saj psikologjike. Vetë Esqueda kërkoi falje në gjykatë, duke pranuar se nuk e kishte mbështetur viktimën kur ai kishte nevojë për ndihmë.

Top Channel