Irani sfidon SHBA-në për Ngushticën e Hormuzit, plani për tarifat ndez përplasje të re globale
Andrew Mountbatten-Windsor po hetohet nga policia britanike për krime të mundshme seksuale, në kuadër të një hetimi të gjerë të lidhur me dosjet e Jeffrey Epstein.
Sipas mediave britanike, detektivët kërkojnë të marrin në pyetje një grua që pretendon se është dërguar në rezidencën e Andrew në Windsor “për qëllime seksuale”. Autoritetet po u bëjnë gjithashtu thirrje ‘viktimave’ të tjera të mundshme të Epstein që të paraqiten dhe të ndihmojnë hetimin.
Andrew, i cili mohon kategorikisht çdo shkelje, mbetet nën hetim prej muajsh. Ai ishte marrë në pyetje nga policia nën dyshimet për sjellje të pahijshme në detyrën publike, pas publikimit në SHBA të dosjeve të FBI-së lidhur me Epstein.
Sipas raportimeve, dokumentet sugjeronin se vëllai i Mbretit kishte ndarë dokumente të ndjeshme qeveritare dhe informacione tregtare me Epstein, i cili u burgos për përfshirje në prostitucion me të mitura.
Hetimi po drejtohet nga një skuadër speciale e Policisë së Thames Valley, e cila po shqyrton jo vetëm akuza me natyrë financiare, por edhe dyshime për krime seksuale, korrupsion dhe pengim të drejtësisë.
Autoritetet britanike po verifikojnë gjithashtu pretendimet se Epstein kishte sjellë në Britaninë e Madhe një grua jo-britanike në vitin 2010 për një takim seksual me Andrew.
Ndihmës Shefi i Policisë së Thames Valley, Oliver Wright, deklaroi se hetimi është “kompleks” dhe se detektivët po analizojnë një sasi të konsiderueshme informacioni të ardhur nga publiku dhe burime të tjera.
Policia britanike ka bërë thirrje që çdo person me informacion të kontaktojë autoritetet përmes kanaleve zyrtare.
Top Channel